Mali i Zi nuk është Demokraci, por një Regjim Hibrid, thotë The Economist

Gazeta “The Economist” boton çdo vit një indeks të nivelit të Demokracisë për 167 shtete të botës.

Mali i Zi për të pestin vit radhazi renditet në kategorinë e “regjimeve hibride”, çka nënkupton se Mali i Zi është më afër regjimeve autoritare sesa demokracisë së plotë.

Mali i Zi në rangun botërorë nxënë vendin e 81-të.

Në këtë grup (regjime hibride), janë edhe Maqedonia e Veriut, Bosnja, Turqia, Moldavia, Ukraina, Armenia, Bolivia, Senegali, Tanzania, Uganda, Butani, Libani dhe Nigeria.

Ndërkaq, Shqipëria vlerësohet në kategori më lart, në atë të “Demokracisë me të meta”, dhe renditet 10 vende më mirë se Mali i Zi.

Indeksi për Demokraci, sic sqaron “Ekonomisti”, paraqet pasqyrën e situatës në demokracinë botërore për 167 shtete të pavarura dhe dy territore dhe bazohet në pesë kategori; procesi zgjedhor dhe pluralizmi, liritë qytetare, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja dhe kultura politike.

Shtetet ndahen në katër kategori: “demokraci të plota”, “demokraci me të meta”, “regjime hibride” dhe “regjime autoritare”.

Pesë vendet më mirë të ranguara janë Norvegjia, Islanda, Suedia, Zelanda e Re dhe Kanadaja, kurse në fund të listës janë Çadi, Siria, Republika Qendrore-Afrikane, Republika Demokratike Kongo dhe Korja e Veriut.
/MALESIA.ORG/