Parlamenti Evropian voton Raportin për Kosovën

Në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, të martën u votua për amendamentet e shumta në raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon si dhe raporti në tërësi. Gjatë debatit, disa deputetë shprehën kundërshtimin e tyre lidhur me thirrjen që pesë shtetet e bllokut ta njohin Kosovën si dhe që BE-ja të liberalizojë vizat për shtetasit e Kosovës.

Për shkak të mënyrës specifike të votimit, rezultatet e sakta për amendamentet e veçanta do të dihen më vonë.

Si pasojë e masave, që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19, debatet në Parlamentin Evropian po zhvillohen në mënyrë të kombinuar: me pjesëmarrjen e deputetëve në sallë si dhe lidhjen përmes internetit. Edhe votimet po mbahen në këtë formë, prandaj nuk mund të dihen rezultatet menjëherë.

Në raportin që ka paraqitur raportuesja për Kosovën, Von Cramon, qysh në dhjetor të vitit të kaluar, para se të dihej se në Kosovë do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme, ishte shprehur pakënaqësi për mungesën e progresit në zbatimin e agjendës së reformave evropiane, në luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e sundimit të ligjit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Këto pakënaqësi kanë mbetur pjesë e tekstit të raportit për Kosovën. Në raport po ashtu është kërkuar që të vazhdohet të ketë përkushtim sa i përket dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, thirrje kjo që u është bërë të dyja vendeve. Lidhur me dialogun ka pasur disa propozime, që kanë kërkuar nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së që të krijojë mekanizma, me qëllim që të vëzhgohet zbatimi i marrëveshjeve që janë arritur në kuadër të këtij procesi si dhe të raportohet rregullisht në PE për përparimin në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja.

Në mesin e shumë amendamenteve të propozuara në raportin për Kosovën, kishte edhe kërkesa që të hiqet paragrafi, përmes së cilit ftohen pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë. Një kërkesë të tillë kanë bërë sidomos deputetët nga Spanja dhe shtete të tjera, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, deputetët evropianë, që vijnë nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, kanë insistuar që Kosova të njihet si shtet dhe të ndihmohet më shumë në procesin e integrimeve evropiane. Këta deputetë kanë ripërsëritur thirrjen që Këshilli i BE-së, pa vonesa të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës, pasi sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, Prishtina zyrtare qëmoti ka përmbushur kushtet për liberalizim dhe një gjë e tillë është mbështetur edhe nga Parlamenti Evropian.

Por, kundër thirrjes për liberalizimin e vizave u propozuan disa amendamente nga disa deputetët të ekstremit të djathtë, sidomos nga Franca.

Pasi miratohet raporti në Komisionin për politikë të jashtme, ai më pas dërgohet në seancë plenare, në formë të propozim-rezolutës, për t’u votuar më vonë në pranverë. Për shkak se viti 2019 ishte vit zgjedhor në BE, dhe më 2020 u përhap pandemia e koronavirusit, edhe ky raport për Kosovën erdhi me vonesë.

Rezolutat e Parlamentit Evropian shprehin qëndrime politike të këtij institucioni të BE-së, por nuk janë ligjërisht të obligueshme për vendet anëtare. Prandaj, edhe thirrjet e deritanishme të PE-së për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e bllokut evropian si dhe ajo për liberalizimin e vizave, nuk kanë pasur ndonjë efekt.