Veprimtaria e komunës së Tuzit per dy vite, dhe planet për të ardhmen

Edhe pse koha kalon, është e nevojshme të kthehemi pas dhe të mos harrojmë se ku i’a filluam dy vite më parë dhe se me punë dhe duke vepruar si një skuadër, ndryshimet në vend mund të ndodhin.
Brenda një kohe të shkurtër, prej se u krijuan organet e administratës lokale, komuna ka forcuar kapacitetet e saj në drejtim të administratës dhe zyrtarëve, në mënyrë që t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të saj.
Komuna e Tuzit është munduar që në çdo lëmi të japë kontributin e saj maksimal, duke filluar me subvencione të ndryshme për bujqit tonë, si dhe me ndihma në shitjen dhe eksportimin e prodhimeve tona të njohura bujqësore.
Arsimi i nxënësve tonë ka qenë në fokus të veçantë. Jemi komuna e vetme në Mal të Zi që kemi siguruar libra falas për të gjithë nxënësit e shkollave fillore. Kemi ndihmuar rregullimin e infrastrukturës shkollore, ku vlen të veçohet ndërtimi i kopshtit modern në Tuz, në bashkëpunim me Ministrinë e arsimit si dhe parkun pranë këtij institucioni. E kemi kthyer vendin në një hapësirë të përshtatshme për fëmijët, duke ndërtuar kënde për lodra në të gjithë territorin e Komunës së Tuzit.
Me qëllim të përkrahjes së çifteve të reja, mes tjerash, komuna ka vendosur që secilën foshnje të porsalindur ta shpërblejë me nga 200 €. Po ashtu kemi mbështetur edhe studentët tonë më të dalluar duke u ndarë bursa në nivel vjetor. Po ashtu, një rëndësi të veçantë Komuna e Tuzit i ka kushtuar edhe sportit duke marrë përsipër financimin dhe menaxhimin e klubit të futbollit „Deçiq”, suksesi i të cilit nga ajo ditë nuk mungon.
Kemi organizuar shumë aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë, në rrafshin mbarëkombëtarë dhe të cilat në të njëjtën kohë i ka dhënë jetë dhe harmoni vendit. Nga organizimet dhe manifestimet vlen të veçohet 1 Qershori – dita e fëmijëve, 8 Marsi ku u organizua Forumi i parë i grave shqiptare në rajon, panairi e librit për herë të parë në komunë, pazari i dimrit e shumë manifestime të tjera promovuese.
Përmirësimi i infrastrukturës mbetet një nga prioritet e komunës ndër të cilat vlen të ceken:
− Tamponimi i rrugës në drejtim të „Livadeve të Tuzit” në mes Bashkësive lokale Narhelm – Dreshaj dhe Sukruqit në vlerë prej 29.801,96 €;
− Tamponimi i rrugës në drejtim të Zbeqit në BL Sukruq në vlerë prej 29.801,96 €;
− Tamponimi i rrugës pranë varrezave në BL Milesh në vlerë prej 24.654,40 €;
− Asfaltimi i rrugës së Kojës në vlerë prej 123.420,00 €;
− Asfaltimi i rrugës Vuksanlekaj-Sukruq me vlerë 193.856,52 €;
− Asfaltimi i rrugës pranë xhamisë së Dinoshës me vlerë prej 178.343,48€;
− Asfaltimi i aksit rrugor Vuksanlekaj-Dreshaj-Nënhelm me gjatësi prej 3 km e gjatë, 5.5 m e gjerë, me vlerë 124.146,00 €;
− Shëtitorja Vulaj-Tuz-Hakshabanaj në vlerë prej 44.930,93 €;
− Tamponimi i rrugës në fshatin të Kshevës deri tek shkolla fillore në vlerë prej 24.895,36 €;
− Financiarisht në vlerë prej 15,000.00 €, u mbështet iniciativa e të rinjve nga Mileshi, ku kanë filluar punimet për ndërtimin e një kompleksi sportiv.
Një fokus të veçantë ia kemi kushtuar edhe ndriçimit të vendbanimeve, si në zonën urbane ashtu edhe në atë rurale. Për këtë kohë të shkurtër janë punuar shumë plane strategjike, si hartimi i Planit strategjik të zhvillimit të Komunës së Tuzit si dhe planeve të tjera përmes të cilave sigurohet integriteti, mbrojtja e personave me aftësi të kufizuara nga diskriminimi dhe promovimi i barazisë gjinore.
Për funksionimin e pa penguar kemi themeluar ndërmarrjen publike, përmes së cilës u sigurua mirëmbajtja e zonave publike, mbledhja e grumbullimit dhe asgjësimit të mbetjeve, mirëmbajtja e zonave të gjelbra publike, mirëmbajtja e ndriçimit publik, shërbimet e tregut të gjelbër etj. E në anën tjetër, për të qenë sa më afër me qytetarët, kemi themeluar 16 Bashkësi lokale.
Komuna e Tuzit ju qas aktiviteteve promovuese përmes Organizatës turistike e cila vendosi bazat për zhvillimin e ardhshëm në fushën e turizmit, promovimin e komunës përmes aktiviteteve dhe manifestimeve të njëpasnjëshme.
Jemi bërë pjesë e Unionit të bashkive shqiptare në rajon, ku përmes bashkëpunimit me të gjitha komunat shqipfolëse në rajon kemi realizuar aktivitete promovuese të nivelit të lartë. Po ashtu, i jemi bashkëngjitur Marrëveshjes së kryebashkiakëve për klimën dhe energjinë. Bashkëpunimi ndërkombëtar i komunës së Tuzit në vitin 2020 karakterizohet nga aktivitete dhe tërheqje të fondeve të konsiderueshme përmes fondeve IPA.
Kurse për reagimin e institucioneve në krizën e shkaktuar nga COVID-19, Komuna e Tuzit ka fituar çmimin për administratën publike për Ballkanin Perëndimor, për vitin 2020. Ky çmim më së miri e dëshmon angazhimin tonë model, për përballimin me COVDID-19.
Sigurisht që Komuna e Tuzit me të njëjtin ritëm do të vazhdojë me punë edhe gjatë vitit 2021 ku parashihen projektet kapitale si në vijim:
− Rikonstruktimi dhe sanimi i aksit rrugor Poprat – Koritë, gjatësia 3,1 km me vlerë 275.000,00€;
− Rikonstruktimi dhe sanimi i aksit rrugor në Rakiq, gjatësia 2,4 km me vlerë 336.200,00 €;
− Rishtrimi i aksit rrugor Dushiq – Lekaj – Vrane, gjatësia 2.23 km me vlerë 173.450,00 €;
− Rishtrimi i aksit rrugor Shipçanik – Dheu i Zi, gjatësia 2.23 km me vlerë 165.920,00 €;
− Rishtrimi i aksit rrugor në fshatin Vllanë prej rrugës kryesore Tuz – Mataguzh deri tek xhamia, gjatësia prej 1.2 km me vlerë 134.830,00 €;
− Ndërtimi i objektit të BL Dheu i Zi me vlerë 50.000,00 €;
− Ndërtimi i objektit BL Dushiq – Lekaj me vlerë 20.000,00 €.
Ndërsa për realizimin e të lartpërmendurave është e nevojshme sigurimi dhe hartimi i dokumentacionit teknik dhe revizioni i projektit kryesorë ku për këtë lami janë të parapara mjetet në shumë prej 130.500,00€
Mund të konstatohet se përkushtimin e komunës për zhvillimin e Malësisë e dëshmon më së miri rritja e buxhetit të komunës nga viti në vit, ku dhe jemi vlerësuar nga Ministri i financave si një nga komunat më të suksesshme në Mal të Zi, e cila kryen detyrimet e veta rregullisht dhe e cila nuk ka borxhe kredie ose garanci të lëshuara.
Me të njëjtin ritëm dhe përkushtim do të vazhdojmë të punojmë edhe në të ardhëm, me qëllim rritjen dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Malësisë.

Komuna e Tuzit!