I kontaktuar nga portali malësia.org lidhur me polemikat e shfaqura në mediat malazeze, sa i perkët deklaratave të disa zyrtarëve malazezë mbi ngjarjet ne Srebrenice, Ambasadori i Shqiperisë në Mal të Zi, z.Ridi Kurtezi deklaroi se në vitin 1995, bota u bë dëshmitare e një mizorie të turpshme e të paparë në tokën europiane, që prej Luftës së Dytë Botërore.
“Mijëra boshnjakë humbën jetën në Srebrenicë, si rezultat i fushatës së genocidit të forcave serbe.
Të nderojmë dhe mos harrojmë kujtimin e viktimave të genocidit në Srebrenicë, por edhe viktimat e tjera që i janë nënshtruar mizorive masive, për shkak të identitetit.
Kultura mbizotëruese e mohimit dhe revizionimit të historisë, tendencat për të vendosur shenja barazimi mes xhelatëve dhe viktimave, shoqëruar me tentativat për marrëveshje për amnestimin e krimeve të luftës, shkojnë në drejtim të kundërt me ndërtimin e paqes, pajtimit dhe stabilitetit ne rrugën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Kjo është e vetmja garanci për mospërsëritjen e mizorive të së kaluarës dhe ndërtimit të shoqërive paqësore, gjithpërfshirëse dhe të drejta”, deklaroi ambasadori shqiptar.
Malesia.Org