Smajl Martini dhe Baca Kuri, trimat malësorë që lanë gjurmë në historinë shqiptare, dekorohen nga shteti amë.
Sot, më 6 prill, në QKI Malësia në Tuz, u bë ndarja e dekoratave “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për Smajl Martinin – Bajraktarë i Grudës dhe Baca Kurtin e Grudës.
Me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” u dekoruan Trimat e Kojës dhe Zef Miliqi Lulgjuraj.
Gjergj Gjokaj u dekorua me titullin “Naim Frasheri”, ndërsa Rexhep Likaj me titullin ”Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Ceremonia e ndarjes të dekoratave nga Institucioni i Presidencës së Republikës së Shqipërisë, e cila u përfaqësua nga Ambasadori Flamur Gashi, u bë në mbështetje të Komunës së Tuzit.
Vendimi i dekorimit u bë nëntorin e vitit të kaluar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ndërkaq iniciatorë ishte Instituti “Albanica” e drejtuar nga Prof.Dr. Martin Berishaj.
I pranishëm në ndarjen e dekoratave ishte Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi, përfaqësues të Komunës së Tuzit në krye me kryetarin Nik Gjeloshaj, nënkryetarin Ivan Ivanaj, kryetarin e Kuvendit Fadil Kajoshaj.
Ndarjen e dekoratave në emër të Institucionit të Presidencës së Shqipërisë e bëri Ambasadori Flamur Gashi së bashku me Ambasadorin Ridi Kurtezi.
Për shkak të pandemisë, pjesëmarrja ishte e limituar në rrethin e ngushtë familjar të të dekoruarve.
Dekoratën për Smajl Martinin e pranoi Gjelosh Ivezaj, ndërsa për Baca Kurtin dekoratën e pranoi Mark Gjokaj.
Dekoratën për Trimat e Kojës e pranuan Gjokë Ivanaj dhe Nosh Kolçaj, ndërsa për Zef Miliqin Lulgjuraj e pranoi Vilson Lulgjuraj.
Dekoratën për Gjergj Gjokaj e pranoi Leon Gjokaj, ndërsa Rexhep Likaj e pranoi dekoratën personalisht.
/MALESIA.ORG/
