Muzeu Etnografik i Malësisë, më 1 maj 2021, shënoi 19-vjetorin e themelimit të tij.
Për dallim nga disa vjet më parë, në këtë përvjetor, Muzeun Etnografik të Malësisë e vizituan vetëm disa individë, të cilët mund të numërohën në gishtat e dorës, dhe nga ky fakt mund të konstatohet se vëmendja, interesimi dhe kujdesi ndaj vlerave të trashëgimisë kulturore nuk është në nivelin e duhur.
Në 19-vjetorin e themelit të Muzeut Etnografik, pronari dhe themeluesi, z. Shtjefën Ivezaj kishte hapur një ekspozitë fotografish artistike nga arkivi i tij i pasur si fotografi i parë në Malësi.
Ivezaj në një prononcim për gazetën “Koha Javore” thotë se këtë vit interesimi për të vizituar dhe përgëzuar përvjetorin e muzeut që ai drejton, ishte në rënie.
“Jemi njerëzit e vetëm që nuk përfitojmë nga ky muze. Ne nuk e hapëm këtë muze për përfitim, por për të evidentuar, kultivuar e transmetuar gjeneratave pasardhëse kulturën materiale, shoqërore dhe artistike të popullit në Malësi. Pa rroga, pa asnjë qindarkë, ne po vazhdojmë që gati dy dekada ta mbajmë të gjallë këtë muze, edhe pse me sakrifica të jashtëzakonshme”, u shpreh Ivezaj.
Ai më tutje shprehu shqetësimin e tij për mungesë buxheti, për një buxhet vjetor që siç tha, do të duhej ta kishte edhe muzeu që ai drejton, sikurse të gjithë muzetë e tjerë në Mal të Zi.
“Ky nëntëmbëdhjetë vjetor i muzeut, për të parën herë që nga themelimi, u shënua edhe pa donatorë dhe sponsorë”, përfundoi Ivezaj.
Rikujtojmë se në këtë muze gjenden materiale qindravjeçare nga jeta, puna, tradita dhe shpirti i pasur i malësorëve. Aty ruhen nga pluhuri i harresës shumë gjësende shtëpiake, vegla pune, vegla për bujqësi e blegtori, orendi, vegla muzikore, armë, veshje popullore e gjëra të tjera të vjetra, por të rëndësishme nga etnokultura. Ky muze ka një arkiv të pasuar edhe në seksionin e filatelisë, galerisë, fototekës dhe bibliotekës.
Ndër vite Muzeu Etnografik i Malësisë u vizitua nga një numër i madh vizitorësh, admiruesish të trashëgimisë kulturore, studiuesish, mediash, personalitetesh politike e publike, nga të gjitha anët. /Koha Javore / T.U./