Zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi Dritan Abazoviq, ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë vizitës, takoi Kryeministrin Edi Rama si dhe Presidentin Ilir Meta.
Rama në një njoftim të shkurtër në rrjete sociale thotë se takimi shkoi mië dhe ata ranë dakord në çdo pikë.
“Kënaqësi e posaçme takimi i parë me zv.kryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me të cilin kaluam si dy miq të vjetër dhe patëm dakordësi në çdo pikë”, shkruan Rama.
Kreu i Shtetit shqiptar e përgëzoi Zëvendëskryeministrin Abazoviq për përparimin që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit europian, aq jetik për të gjitha vendet e rajonit.
Presidenti Meta shprehu dëshirën, që bashkëpunimi i mirë, që ekziston midis dy vendeve tona, të përshpejtohet dhe të thellohet më tej në të gjitha fushat, duke patur si objektiv parësor ndërlidhjen gjithnjë e më të mirë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit.
Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se partneriteti në NATO duhet të frymëzojë marrëdhënie më të ngushta dhe të afërta ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe se të dy Qeveritë i kanë të gjitha mundësitë ta modelojnë këtë bashkëpunim në përçim të vlerave më të mira të Aleancës.
Presidenti Meta apeloi për një përfaqësim më përfshirës dhe më të drejtë të shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale të Malit të Zi.
Gjatë takimit, Presidenti Meta i kushtoi vëmendje të veçantë disa projekteve konkrete në mbështetje të zonave ku banojnë shqiptarët, siç janë: hapja së shpejti e Pikës se Kalimit Kufitar në Grabon, mundësia e bashkëpunimit për hapjen e Pikës së Kalimit Kufitar Skejë – Zogaj, rindërtimi i i shkollës së djegur në fshatit Dacaj në Rozhajë, ura mbi lumin “Buna”, që do të lidhte Velipojën me Shtojin, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në Plavë dhe Guci, konkretisht rregullimi i rrugës për në fshatin Hot në Plavë, hapja e disa pikave kufitare në këtë zonë si edhe në Ulqin, rregullimi i çështjes se shtetësive të shtetasve shqiptare të martuara në Mal të Zi, si dhe punësimi i shqiptarëve në institucionet qendrore dhe lokale.
Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që faktori shqiptar në Mal të Zi vazhdon të kontribuojë pozitivisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në të gjitha proceset demokratizuese dhe zhvillimore, duke qenë faktor kyç për qasjen euro-atlantike dhe europiane të vendit.
Abazoviq ndërkohë gjatë vizitës së tij në Tiranë , ka takuar edhe numrin dy të PS Taulant Balla , ndërsa po ashtu ka takuar edhe presidentin Ilir Meta.
Balla u shpreh pas takimit se do të rritet dhe forcohet bashkëpunimi i eksperiencave mes dy vendeve, ndërsa në fund të muajit korrik do të hapet një tjetër pikë kufitare me Malin e Zi.
“Të rrisim dhe forcojmë bashkëpunimin e eksperiencave sepse kemi shumë cështje që ngjajnë. Në Shqipëri kemi probleme me reformën zgjedhore dhe kështu ndodh edhe në Malin e Zi e rëndësishme është që qoftë Shqipëria, qoftë Mali i Zi kanë një kontribut cilësor dhe të ketë bashkëpunim mes vendeve tona. Deri në fund të këtij muaji do të kemi një pikë tjetër kufitare me Malin e Zi. Kjo tregon rritjen e intensitetit mes dy vendeve tona dhe kjo tregon një proces integrimi në marrëdhënien në Ballkanin Perëndimor”, tha Balla.
Kreu i Shtetit shqiptar e përgëzoi Zëvendëskryeministrin Abazoviç për përparimin që ka shënuar Mali i Zi, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit europian, aq jetik për të gjitha vendet e rajonit.