Një grup mërgimtarësh malësorë të cilët jetojnë në shtetin Kaliafornia të SHBA-së, kanë formuar shoqatën “Malësia”.
Numri i mërgimtarëve tonë në shtetin e Kalifornisë është relativisht i vogël, por janë një komunitet i organizuar dhe kanë kontribuar në çdo nevojë që kishte vendlindja, por ata tashmë do të kenë mundësi edhe më të mirë të veprimit, pasi që do të veprojnë si subjekt i bashkuar në një shoqatë zyrtare.
Vendimi i themelimit të shoqatës “Malësia” në Kaliforni u mori në mbledhjen e parë të shoqatës më 26.06.2021, me ç’rast u zgjodhën 20 anëtarët e Këshillit Koordinues.
Ndërkaq, mbledhja e dytë u zhvillua më 10.07.2021, në të cilën u zgjodh kryesia e shoqatës.
Për kryetar të shoqatës u zgjodh Enver-Vero Gjokaj, ndërsa nën-kryetarë u zgjodhën Palokë Lulgjuraj, Lindon Gjurashaj dhe Sherif Krniq. Sekretar u zgjodh Ismet Dakaj, ndërsa arkëtar Medo Hakaj dhe Gjokë Gjokaj. Në këtë mbledhje u zgjodh edhe drejtori koordinues i shoqatës Dr. Safedin Beqaj.
“Shoqata “Malësia” do të ketë status të organizatës jo-fitimprurëse (Non-Profit) dhe do të merret me çështje humanitare, ruajtjen dhe kultivimin e kulturës, historisë dhe traditave tona në diasporë”, për Malesia.org, shprehet kryetari Enver-Vero Gjokaj.
Shoqata nuk do të merret me çështje politike, fetare e as me grupe të ndryshme të interesit.
“Kjo shoqatë “Jo-fitimprurëse”, nuk do të merret me çështje politike, as me ideologji fetare, as me gjeopolitikën rajonale (rreptësisht e ndalur nga SHBA), as me “Grupe të Interesit” të ndryshme. Nuk kemi as një motiv për të mbështetur grupet e ndryshme apo individë në agjendat e tyre personale (for personal gain). Kjo është e definueme nga Ligji i Amerikës “No Political Affiliations” & “No Lobbying”. Jemi të gatshëm që të ndihmojmë vendlindjen në mënyrë materiale, në aktivitete kulturore, edukative dhe humanitare”, thotë Gjokaj.
Shoqata tashmë veç se ka nisur të përgatisë disa iniciativa dhe plane që do të jenë në agjendën e shoqatës.
“Në mbledhjen e fundit, ne veç e kemi përcaktuar vizionin e shoqatës si dhe disa plane fillestare. Ishin disa ide dhe propozime shumë interesante, dhe u morën në konsiderim për the ardhmen. Si fillim fokusi i kësaj shoqate do të jenë disa projekte të vogla. Çdo fillim ka vështirësi “Dhimbje ne Rritje” (Growing Pains). Dokumentet për statusin Non-Profit të shoqatës i kemi dorëzuar javën e kaluar, ato kalojnë përmes një procesi shumë të korrigjuar prej shtetit të Kalifornisë dhe Federatës Amerikane, dhe do merr 3-4 muaj të finalizohet ky proces. Pas aprovimit të tyre, atëherë fitojmë të drejtën dhe krijojmë fondin e shoqatës.
Jam i bindur se kjo shoqatë do të jetë e suksesshme, jetë gjatë dhe bamirëse. Duke promovuar ndjenjat për atdheun tonë të shenjt, bujarin tonë të pa mohuar dhe trimërinë që të parët tonë e kanë treguar me shekuj”, shprehët për Malesia.org, Enver-Vero Gjokaj, kryetari i shoqatës Malësia në Kaliforni.