Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.
“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Të hënën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u zhvillua rundi i radhës i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Takimi ishte i dyti me radhë midis Kurtit dhe Vuçiqit.
“Kur ishte te dakordimi për një deklaratë të përbashkët, ne ishim dakord për pikën që në fund të muajit gusht të takohen udhëheqësit e delegacioneve tona. Gjithashtu të ketë edhe një takim tjetër në muajin shtator midis krerëve të dy vendeve tona dhe insistuam që aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga ndërmjetësi [i BE-së, Josep] Borrell, po u refuzua nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.
“Unë nuk e kuptoj se përse do të duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën, kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara”, tha ai.
Duke folur për mediat, Kurti tha se zëvendësi i tij, Besnik Bislmi, ka shpalosur në takim edhe “11 barrierat që Serbia ia vendos Kosovës në aspektin tregtar” dhe ka kërkuar eliminimin e tyre, por, shtoi ai, pala serbe nuk ka dashur të dëgjojë as për to.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Kurti tha se kjo “stërzgjatje” e procesit vjen për faktin se, për kohë të gjatë, “është evituar thelbi i tij”.
“Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën, mirëpo Serbia nuk dëshiron të diskutojë për këtë temë. Unë e kam theksuar disa herë që, për çështje teknike, i kemi ekspertët. Unë jam lider politik dhe do të flas për çështje politike. Dhe, thelbi është: njohja e ndërsjellë”, tha Kurti.
“Serbia duhet ta njohë Kosovën. Kosova duhet ta njohë Serbinë dhe gjithçka tjetër është pastaj e zgjidhshme dhe e kollajshme”, theksoi ai.
Kurti tha se në fund të muajit gusht do të takohen sërish përfaqësuesit e delegacioneve midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa një takim tjetër i tij me Vuçiqin, tha se mund të zhvillohet në shtator.
“Jemi konstruktivë, jemi aktivë, por natyrisht që nuk është kollaj, sepse nuk ekziston gatishmëri nga Serbia që të ballafaqohet me të kaluarën”, tha Kurti.
Ai tha se në takimin e sotëm janë shkëmbyer edhe disa “dhurata”.
“Unë u kam dhënë tri libra, ndërsa ata më kanë dhënë më shumë se tri ofendime. Por, librat janë më të rëndësishëm”, tha Kurti.
Ai shtoi se delegacionit serb i ka dhuruar librin e Natasha Kandiqit, që dokumenton vrasjen e fëmijëve në Kosovë më 1998/99, një libër me rrëfimet e grave të dhunuara nga forcat serbe në Kosovë dhe një libër për shfarosjen e shqiptarëve nga viti 1878 deri më 1884.
Vuçiq: Takimi me Kurtin, më i keqi në dialog
“Herën e fundit që ishim në Bruksel, mendova se ishte e pamundur të kishim një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur”, tha Vuçiq pas takimit me Kurtin në Bruksel.
Vuçiç tha se intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, përmbajtja nga veprimet që potencialisht mund të destabilizojnë situatën në terren, dhe takimet e rregullta njëmujore të kryenegociatorëve si dhe përgatitja e takimeve të nivelit të lartë sipas nevojës, ishin propozime të BE-së gjatë takimit të së hënës.
“Ne nuk u pajtuam për këto tri pika. Serbia i ka pranuar plotësisht ato, pa asnjë kundërshtim. Shqiptarët nuk dëshironin t’i pranonin ato pika dhe është veçanërisht interesante për mua që ata nuk donin ta pranonin atë pikën tjetër, duke u përmbajtur nga veprimet që mund të shkaktonin destabilizim në terren. Thelbi i prezantimit të tyre ishte se Serbia është fajtore për të paktën tri gjenocidet në Kosovë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se pala kosovare gjithmonë ka kushtëzuar me “kritere të reja politike”.
“E vetmja gjë që ata kërkuan ishte që Serbia të ishte përgjegjëse për të kaluarën e saj, që Serbia të paguante çmimin e plotë”, tha Vuçiq.
Kurti megjithatë tha se është gënjeshtër se ai nuk ka dashur që ta nënshkruajë deklaratën lidhur me përmbajtjen për veprimet të cilat mund ta destabilizojnë gjendjen në terren. Ai tha se pala serbe ka refuzuar që në deklaratë të futet fjalia lidhur me ballafaqimin me të kaluarën, gjë që e pranoi BE-ja.
Vuçiq shtoi se është gjithmonë i gatshëm për dialog, por që nga sot ai është shumë “më i shqetësuar për sigurinë e serbëve në Kosovë”, duke deklaruar se ai kishte paraqitur një “listë me 80 incidente” për sigurinë e serbëve gjatë këtij takimi.
Vuçiq po ashtu tha se ka mundësi që në fund të gushtit të mbahet një takim mes dy ekipeve të negociatorëve.
Lajçak: Atmosfera e takimit Kurti-Vuçiq, e tensionuar
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se atmosfera në takimin e së hënës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte “e tensionuar”.
“Takimi ishte i vështirë dhe tregoi qasje shumë të ndryshme ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë, sot kemi bërë shumë pak përparim. Janë diskutuar disa propozime konkrete, por rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, tha Lajçak pas takimit.
Ai konfirmoi se ekipet negociuese do të takohen në fund të gushtit dhe se takimi i ardhshëm i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në shtator.
Borrell: Kosova dhe Serbia të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme
Para takimit, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak të hënën ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se sot do të vazhdohen bisedime për përparimin e arritur deri më tani dhe “për hapat përpara nesh dhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë këtë dialog”. Borrell shtoi se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm, sa i përket rezultateve, sesa takimi i parë, që u mbajt në qershor.
“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha Borrell para takimit.
Takimi i dytë Kurti-Vuçiq
Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy zyrtarët u pajtuan që të vazhdojnë takimet.
Beogradi zyrtar insiston që Prishtina të zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ndërkaq, Prishtina zyrtare ka theksuar se një numër i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut, nuk po zbatohen si duhet nga Beogradi. Kosova, në këtë drejtim, veçmas ka përmendur marrëveshjen për kontrollin e kufirit, atë për njohjen e diplomave, për certifikatat e mallrave, lirinë e lëvizjes si dhe marrëveshjen për fusnotën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq javën e kaluar tha se delegacioni serb po shkon në këtë takim në Bruksel me “besimin më të madh” , por shtoi se nuk ishte i sigurt nëse përparimi është i mundur.
Ky do të jetë takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për pjesen e parë të këtij viti, pasi në institucionet evropiane zyrtarisht nis sezoni i pushimeve verore.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.
Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik, kur kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq nisën negociatat.
Në prill të vitit 2013, palët arritën Marrëveshjen e Brukselit, por shumica e marrëveshjeve që janë pjesë e saj, ende nuk janë zbatuar. Kosova heziton që ta zbatojë Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit për shkak se kjo marrëveshje, nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës ishte thënë se nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdimisht ua kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve./REL/