Malazezi që u arrestua në Gazimestan do ekstradohet, i ndalohet hyrja në Kosovë për pesë vjet

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka dhënë sot vendimin për shtetasin malazez Risto Jovanovic i cili ishte arrestuar në ditën e Vidovdanit në Gazimestan, sipas prokurorisë për veprën penale, nxitje e urrejtjes.

Gjykatësja Vlora Pacolli, e dënoi Risto Jovanovic me gjashtë muaj burgim por që ai u pajtua që për këtë gjashtë muajsh dënim, të paguajë 6700 euro, për ta shmangur burgimin.

Kurse tutje është marrë vendim që i njëjti të ekstradohet nga Kosova në Mal të Zi dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.

Duke arsyetuar vendimin, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vlora Pacolli, ka thënë se Jovanovic është dënuar pasi është dëgjuar duke bërtitur “Vrite shiptarin”, “Ne do ta lajmë Kosovën me gjak”, “Kosova është Serbi”.

Termi pezhorativ ‘shiptar’ konsiderohet politikisht jokorrekt dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për shqiptarët.

Jovanovic ka thënë se nuk është fajtor për akuzat me të cilat ngarkohet.

Ambasadori malazias në Kosovë, Mirsad Bibovic, ka qenë të mërkurën pjesë e seancës kur është dënuar Jovanoviq në Prishtinë.

Më parë, partia në pushtet në Mal të Zi, Fronti Demokratik, i ka kërkuar Qeverisë malaziase të “kërkojë lirimin e menjëhershëm të tij nga vendi partner, Kosova”.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic ka thënë se nëse Jovanovic nuk është autor i krimit, ai duhet të lirohet menjëherë.