Forca e Sigurisë së Kosovës niset drejt Shqipërisë në ndihmë

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka njoftuar se një kontingjent i FSK-së është nisur drejt Shqipërisë për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka autorizuar nisjen e kontingjentit të FSK-së drejt Shqipërisë, pasi sot në mbledhjen e Qeverisë është miratuar kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgomin e kontingjentit të FSK-së në Shqipëri.
Situata me zjarre në Shqipëri është rënduar ditëve të fundit.

“I nisëm trupat tona të FSK-së në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë. Prej fillimit të shpërthimit të zjarreve, krahas operacioneve tona në vend, kam ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet tona në dispozicion për mbështetje të vëllezërve dhe motrave tona në Republikën e Shqipërisë. Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam siguruar homologun tim , ministrin Peleshi, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Republikës më në krye kryeministrin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani. Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e saj dhe me dhënien e autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejtë zonave të prekura dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë. Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona!” – ka shkuar ministri Mehaj në Facebook.