Në prani të shumë dashamirësve të fjalës së shkruar, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe zyrtarëve të komunës së Tuzit, sonte në Tuz është hapur, për herë të dytë, Panairi i Librit, i cili do të qëndrojë i hapur nga 18 deri më 20 gusht 2020, nga ora 09:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 18:00 deri në orën 22:00.
Panairi i Librit mbahet në kuadër të aktivitetit “Vera në Malësi”, nën kujdesin e Sekretariatit për vetëqeverisje lokale të Komunës së Tuzit.
Fjalën e rastit në emër të organizatorit e mbajti sekretarja e sekretariatit për vetëqeverisje lokale Marina Ujkaj, kurse Panairin e shpalli të hapur kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Në Panair marrin pjesë rreth 20 shtëpi botuese, me mbi 2000 tituj, nga vendi dhe rajoni.
Gjithashtu, kryetari i komunës, Nik Gjeloshaj ndau mirënjohje Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Z. Ylber Hysa për kontributin e dhënë në zhvillimin e Komunës së Tuzit.
Në kuadër të aktivitetit të kësaj mbrëmje, u bë edhe promovimi i librave “Në botën e përbashkët”, të Akademik, prof. Dr. Anton Kolë Berishaj, dhe “Fshehja e Krimit”, të Prof. Dr. Anton Vukpalaj.
Një fjalë përshëndetëse, në emër të Akademisë së shkencave dhe arteve, e mbajti Sekretaria e Seksionit të shkencave shoqërore në kuadër të Akademisë – Akademike prof. Dr.Justina Shiroka Pula, kurse për librat folën Akademik prof. Dr. Hivzi Islami dhe prof. Dr. Martin Berishaj.
Promovimin e drejtoi doktoranti Nikollë Camaj, i cili, në fjalën hyrëse, vlerësoi këtë aktivitet si rast unik, dhe bëri një vështrim të shkurtër nga biografia dhe veprimtaria e autorëve të dy librave.
“Ndihem i privilegjuar që kam rastin të moderoj këtë përurim librash, këtë aktivitet kulturor, me nivelin e të cilit, për sa i përket asaj që promovohet sonte këtu, do të krenoheshin edhe qendra botërore, e jo ma Tuzi ynë i vogël.
E them këta pa qëllim mburrjeje, por nuk besoj të ketë shumë qytete që kanë rast, që në mesin e aktiviteteve kulturore, brenda një mbrëmjeje, të promovojnë dy botime të Akademisë së shkencave, dhe që të dy autoret të jenë nga i njëjti vend, pra nga vendi ku bëhet promovimi, siç është rasti sonte, me veprat e dy Antonave tonë, në Malësi”.
Duke folur për autorët Nikollë Camaj përpos të tjerash nënvizoi:
“Anton Vukpalaj, profesorin e ri nga Sorbona, bir i këtij trualli, dhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës, i cili më punën e vet të deritashme po ndjek shembullin e Antonit tjetër. I lindur në Malësi, para 50 viteve, ku edhe ka kryer shkollimin fillorë dhe të mesëm, në vitet e 90-ta dezertoi nga shërbimin ushtarak, sepse nuk donte të behej pjesë e gjakderdhjes që po shkaktonte kasapi i Ballkanit. Dihej fati i një dezertori, po të qëndronte në vendlindje, prandaj përmes kanaleve të ndryshme, Antoni arrin në Paris, ku nuk humb kohë por u qaset librave, dhe punën e vet e kurorëzoi me doktoraturë në Sorbonë, në vitin 2008.
Deri më tani ka botuar dhjetëra punime që lidhen me politiken e Ballkanit, të cilat janë pritur mirë nga qarqet shkencore e politike të rajonit
Anton Kole Berishaj, rrugen e suksesit fillon me ditën e parë të shkollës, në Priftnin e tij, ku është lindur në vitin 1956, dhe kulmon me shpalljen anëtar i Akademisë së shkencave dhe arteve, i shtetit të Kosovës, në vitin 2014.
Është autor i shumë botimeve, prej të cilave po veçoj SHËNDRIMI I ENTISË, MONOGRAFIA E SHQIPËTARVE NË MAË TË ZI-NË NJË CEP TË ILIRIËS, RELIGJIONI NË BALLKAN, VIRGJËRAT E PËRBETUARA, SHOQERIA PA SHTET dhe kjo e fundit NË BOTËN E PËRBASHKËT.
Nga libri i fundit, meqenëse e kam akoma të freskët, do të veçoja, dhe sidomos do t’ua rekomandoja lexuesve, pjesën që flet për “akomodimin në botën e përbashkët” ku deri në detaje flet për karakterin e përbashkësisë, të cilin “i forti” e shfrytëzon për të forcuar botën e vet, e në dëm të të voglit, si edhe shpjegimin që i bën SINDROMËS SË STOCHHOLMIT, duke u referuar raporteve Shqiptaro-turke”, u shpreh Camaj.
Në fund vlen të ceket se Akademia e shkencave i dhuroi organizatorit të promovimit 100 ekzemplarë, nga 50 nga të dy titujt, për t’ua shpërnda miqve dhe dashamirësve të librit.
Malesia.Org
