Kush është anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes që u propozua për pozitën e ambasadorit në Kroaci?

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka propozuar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Martin Berishaj, për pozitën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, shkruan Gazeta Insajderi.

Në maj të këtij viti, ministrja Gërvalla shkarkoi 12 ambasdorë të emëruar politikisht duke premtuar se Kosova nuk do të ketë vakum diplomatik, megjithatë një gjë e tillë ndodhi me largimin e Hajdin Abazit nga ambasada në Australi, ku edhe tre muaj pas shkarkimit të tij MPJ dështoi të dërgonte një diplomat të ri.

Pas një vonesë të gjatë, MPJD ka propozuar emrat për ambasador dhe në mesin e tyre figuron emri i Martin Berishaj, i nominuar për pozitën e kryediplomatit në Kroaci.

Kush është anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes që u propozua për pozitën e ambasadorit në Kroaci?

Martin Berishaj është profesor i shkencave politike dhe mardhënieve ndërkombëtare në disa programe dhe module të arsimit të lartë në Slloveni dhe jashtë saj (Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Hungari, Itali).

Aktualisht, Berishaj është shef I Institutit për Studime Shqiptare në Slloveni si dhe anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Berishaj kishte qenë pjesë e komisioni për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi të krijuar nga Ramush Haradinaj, teksa sugjeronte që si zgjidhje të përdorej precedenti Gjirit të Piranit, ku Sllovenia dhe Kroacia kishte dërguar çështjen në Arbitrazh Ndërkombëtar.

Duke qenë anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishaj ishte pjesë e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit nën moton “Krejt dhe Drejt”, teksa Kurtin, liderin e LVV e cilësonte si “proces”.

“Atij i “lanë” të drejtën vetëm për të zgjedhë, mirëpo, harruan se Albini nuk është ngjarje por është proces. Ai është proces i emancipimit politik shqiptarë. Ai është sublimja e ndergjegjëjes kombtare në hapësirën politike në Kosovë, por jo vetëm… Me qendrim dhe veprimin e tij rikujton se; një komb që ka vlera, që ka ideale, ai komb me siguri do të fitojë, pa marrë parasysh se cili është kundërshtari i tij. Sepse, Albini është Emër i cili sillet si Folje” – shkruante ai në janar të këtij viti, teksa komentonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cili i pamundësonte kandidimin për deputet Kurtit, pasi i njëjti kishte dënim penal në tri vitet e fundit.

Biografia e Martin Berishaj

Martin Berishaj përfundoi shkollën fillore dhe të mesme në Tuz të Malit të Zi, e pastaj aplikoi për studime në Fakultetin e Shkencave Sociale në Lubjanë, Slloveni, ku mbaroi studimet me nderime në vitin 1984.

Në Fakultetin e Arteve në Lubjanë mori titullin Master dhe Doktor, teksa së bashku me disertacionin e doktoratës botoi librin e titulluar »Skrita moč Bese« (përkthim Fuqia e fshehur e Besës). Deri më tani ka botuar pesë monografi dhe shumë artikuj ekspertësh.

Lëvizja Vetëvendosje nuk është angazhimi i parë partiak i Berishaj, duke qenë se ishte kryetar i partisë së parë politike shqiptare në Slloveni – »Demokratična Zveza Kosova« (përkthim Bashkimi Demokratik i Kosovës) që gjithashtu mori pjesë në zgjedhjet parlamentare sllovene në vitin 1990.

Kujtojmë se procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj parashohin që ministrja e Jashtme të dërgojë për miratim në qeveri propozimet të cilat pastaj i përcjellën Kuvendit të Kosovës. Komisioni për Punë të Jashtme e bënë intervistimin dhe përgatit raportin për secilin prej tyre, të cilin më pas e dërgon në Presidencë.

Ndërsa emërimi i ambasadorëve bëhet me dekretin e presidentit të vendit. /Insajderi.org/