Kryeministri Krivokapic fton partitë shqiptare të bëhen pjesë e Qeverisë

Kryeministri Zdravko Krivokapic do të takohet me përfaqësuesit e partive shqiptare javën e ardhshme, shkruan gazeta Dan.
Qëllimi i takimit është pjesëmarrja e dy deputetëve shqiptar, Genci Nimanbegut dhe Fatmir Gjekës në Qeverinë e Malit të Zi.

Që nga para pavarësimit të Malit të Zi, kjo është Qeveria e parë në të cilën nuk ka përfaqësues nga partitë shqiptare, edhe pse kishte zëra që shqiptarët do të jenë pjesë e Qeverisë që nga formimi i saj në dhjetor të vitit të kaluar. Takime pati, por nuk u arrit një marrëveshje.

Kryeministri Krivokapic, gjatë kësaj jave ka paraqitur një plan për rikonstruktimin e Qeverisë, ndërkaq ka paralajmëruar se do të takohet edhe me përfaqësuesit e shqiptarëve, me qëllim për t’i afruar në Qeveri.

Deputeti i Listës Shqiptare Genci Nimanbegu konfirmoi për gazetën “Dan” se ata ishin të ftuar për bisedë edhe këtë javë, por që nuk arritën të harmonizojnë datat.

Siç thekson Nimanbegu, Kryeministri e ftoi atë dhe deputetin e koalicionit shqiptar “Bashkë nji za” Fatmir Gjeka, në takim edhe tre ditë më parë.

Ai deklaroi se ekziston mundësia që ata të hyjnë në Qeverinë e rindërtuar, nëse do ta dinin që ftesa është e sinqertë.

Kryetari i PD, Fatmir Gjeka, shkurtimisht për “Dan” e konfirmoi se janë ftuar për bisedime dhe do ti përgjigjen ftesës dhe se takimi me shumë mundësi do të mbahen javën e ardhshme. /MALESIA.ORG/