Komuna e Tuzit merr në pronësi klubin e basketbollit “Deçiqi”, ka njoftuar Kryetari i Komunës Nik Gjeloshaj.
KB Deçiqi nga ky sezon do të garojnë në Ligën e parë B të Malit të Zi, ndërkaq ndeshjen e parë zyrtare do të luajnë nesër në qytetin e Nikshiqit.
Ekipi në krye me kryetarin e klubit Enes Turkoviq, u prit sot nga drejtuesit e komunës së Tuzit.
Qëllimi i këtij takimi ishte inkurajimi dhe përkrahja e lojtarëve për ndeshjen e parë zyrtare e cila zhvillohet nesër në Nikshiq.
Basketbollistët u zotuan se do të japin maksimumin në ndeshje, si dhe falënderuan kryetarin dhe komunën për përkrahjen dhe inkurajimin e vlefshëm, pasi që pa ndihmën e komunës funksionimi i klubit do ishte i vështirë.
Ndërkaq duhet theksuar se në Tuz ende nuk kemi një pallat sporti i cili do të mundësonte funksionimin normal të klubit të basketbollit por edhe sporteve tjera që zhvillohen në ambiente të mbyllura.
Vërejmë se emblema e klubit KB Deçiqi respekton dygjuhësinë, gjuhën zyrtare dhe gjuhën shqipe, ndryshe nga klubi i futbollit që ka mbishkrimin vetëm në gjuhën zyrtare. /MALESIA.ORG/