Eksodi i heshtur shqiptar

Nga Qani  Osmani

Dukuria e shpërnguljes së njerëzve në kërkim të një jete më të mirë është normale, e kudondodhëshme dhe e vjetër sa edhe vetëraca njerëzore. Por kjo që ndodh sot, veçmas në viset shqiptare, nuk është as normale as e kudondodhshme, sepse të rinjtë që braktisin vendlindjet e tyre nuk janë as rrefugjatë politikë as refugjatë lufte. Ata nuk e braktisin vendin pa pasur arsye të mëdha dhe pa drojë serioze nga e ardhmja e hirtë, sepse askush nuk e ka të lehtë të shkëputet nga familja dhe rrethi shoqëror vetëm për shkak të kushteve ekonomike, që mund t’i ndryshojë një klasë e shëndoshë politike.

Dëshmi për këtë është shpërngulja e njerëzve dhe familjeve, që e ndërmarrin këtë hap për shkak të ardhmërisë së pashpresë dhe gjendjes së pandryshueshme, për shkak të dëshpërimit me politikat aktuale, korrupsionit, nepotizmit dhe vjedhjeve të pandëshkuara. Mjerisht këtë nuk e pranon klasa politike, e cila vazhdon të mos shqetësohet fare as nga ikja e mijëra të rinjëve të kualifikuar, pa çka se kjo gjëmë ka arritur përmasa alarmante dhe gati e ka vrarë të ardhmen. Për të (klasën politike) fenomeni në fjalë është normal dhe ka të bëjë me lirinë e lëvizjes së lirë të njerëzve.

Është e vërtetë se emigrimi dhe lëvizja e njerëzve nga një vend në tjetrin për të siguruar një jetë më të mirë është dukuri e vjetër që nuk lidhen vetëm me shqiptarët, por kjo që ndodh aktualisht tek ne nuk është kurbet, siç dëshirojnë ta paraqesin babëziturit e vendit të çudirave. Kjo është gjëmë e paparë ndonjëherë në këto troje. Është eksod me përmasa trishtuese. Është braktisje e përgjithmonshme e atdheut nga të rinjtë shpresëhumbur që , bashk me familjet e tyre, ikin pa e kthyer kokën pas. Këtë e bëjnë të pashembullt ekzodin që ndodh në kohëra trazirash e regjimesh satrape, kur njerëzit detyrohen të ikin nga sytë e këmbët për të shpëtuar nga e keqja e ardhmes gri, nga skamja dhe mizerja shumëdimensionale. Për dikë kjo mund të tingëllojë e tepërt, po merre nga ta marrish, braktisja e përnjihershme e vendbanimeve shqiptare ka një shkas dhe ky shkas duhet kërkuar në taktikat e reja të pushteteve satrape të veshura tebdil mezhgune demokratike, që lënë të rinjtë pa punë, pa mundësi ekzistence dhe pa të ardhme, duke i dhënë kësisoj eksodit tragjik pamjen e një largimi vullnetar dhe të padëmshëm të njerëzve nga vatrat e të parëve. Kjo ka bërë që shkretimi i frikshëm dhe i shpejtë i qyteteve dhe fshatrave tona të bëhen qetas dhe pothuajse pa zëra alarmues që duhej ta kishin bërë që moti çështje shuarjen në këste të etnisë sonë fatkeqë, duke mos lejuar relativizimin e të keqes nga lukunia e matrapazëve të babazitur.

Dhe askush mos të shtirret se nuk i sheh pasojat e kësaj tragjedie kombëtare që vjen duke u thelluar. Ato janë të dukshme edhe nga zogjtë e hutit. Ato shihen në sheshet e shprazura të qyteteve, në oborret e shkollave me numër minimal nxënësish, në fushat e sportit ku më nuk luan kush, në rrugët e shkretuara, në dyqanet dhe kafenetë e mbyllura, në oxhaqet që nuk tymojnë, në dritaret me roletna të lëshuara, në portat e mbyllura që hapen tek-tuk nga pleqtë e mbetur pa të dashurit, në sofrat që s’kanë për kë të shtrohen, në dasmat e rralluara, në barishtet që kanë mbuluar rruginat e shtëpive deri dje të mbushura me jetë e me dashuri, në fatalizmin e atyre që kanë humbur fillin e jetës, në arat e shndërruara në ferrishte, në kullotat pa bagëti dhe në besimin e humbur, për ringjalljen e të cilit duhet të luftojmë të gjithë, sa nuk është bërë tepër vonë.

Nga ana tjetër shtetet shumë më të fuqishme se ato të Ballkanit janë tejët të shqetësuara dhe bëjnë të pamundërën për të gjetur udhët e ndërprerjes së ekzodeve masive, me ç’gjë ne ne mbajmë rekordin e padiskutueshëm. Ata kanë përgaditur projekte për ndërprerjen e shterimit të popullsisë. Ata hartojnë politika të posaçme dhe ofrojnë kushte të volitshme për kthimin e emigrantëve në vendet e tyre si investitorë apo si kuadro të rëndësisë së veçant në fushat e ndryshme të jetës. Ata u kanë shpallur luftë të pakompromis politikave të kastave hajdute dhe partizimeve të shoqërisë, duke bërë prioritet punësimi kompetencën profesionale e jo librezën partiake.

Prandaj, nuk besoj se për politikanët shqiptar ekziston aktualisht ndonjë detyrë më urgjente se ndërprerja e eksodit masiv të të rinjëve, e boshatisjes së trojeve stërgjyshore që është bërë shumë alarmante dhe e pakrahasueshme me ndonjë rajon tjetër të vendit të çudirave. Ata që vazhdojnë ta minimizojnë këtë tragjedi të paparë nëpër të cilën po kalon qenia shqiptare duhet të esëlltohen dhe të ndalin relativizimin e shuarjes sonë kaq të shpejtë duke bërë krahasime me të tjerët. Ata duhet ta thonë të vërtetën lakuriqe të kësaj gjëme të papërjetuar më parë në kohëra pa zjarre lufte dhe ta gjejnë mënyrën për ta ndalur urgjentisht eksodin e të rinjëve para se të bëhet tepër vonë.

Atë copë shprese të të rinjëve që kanë mbetur akoma këtu e vret, si askush e asgjë tjetër, padrejtësia dhe hajdutëria e hapur-jeta luksoze, pallatet mbretërore, vilat aristokrate bregdeteve dhe bjeshkëve atraktive, restoranet ekstravagante, foristradat e shtrenjta të matrapazëve, që 30 vitet e fundit ushtruan apo ushtrojnë detyra të rëndësishme, po që, në vend të përpjekjeve për të bërë diçka për të mirën e përgjithshme, u bënë hajna. Të tillët janë në fakt vrasësit e të ardhmes të atdheut të vetëm që Zoti krijoi për ne. Prandaj them se nuk ka vend për pallavra. Politikanët shqiptarë (ata që e konsiderojnë veten të papërlyer), duhet të kërkojnë llogari prej hajdutëve të pacipë, t’ua sekustrojnë pasuritë e vjedhura dhe t’i investojnë ato për të mirën e të gjithëve. Ndryshe të gjithë do të përfundojnë në kamaren e turpit dhe do të jenë përgjegjës për shuarjen e jetës shqiptare nga trojet të të parëve tanë.