Qeveria e pakicës me mbështetjen e Gjukanoviqit – propozim i Nik Gjeloshaj për dalje nga kriza

Nik Gjeloshaj, lider i Alternativës Shqiptare, subjekt ky opozitar në Mal të Zi, ka propozuar që ky vend të ketë një qeveri të pakicës, të drejtuar nga Lëvizja Qytetare URA e Dritan Abazoviqit, me subjektet parlamentare të pakicave kombëtare.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Abazoviq, tash për tash nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e formimit të një qeverie të tillë. Zyrtarët aktualë të qeverisë malazeze e kanë vlerësuar si të rrezikshëm propozimin e Gjeloshajt, ndërkaq partia në pushtet, Fronti Demokratik, ka vlerësuar se një qeveri e tillë do të ishte jodemokratike dhe jolegjitime.

Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, ka deklaruar se formimi i një qeverie të pakicës, me sugjerimin e liderit të Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, do të ishte një veprim i rrezikshëm.

“Ky do të ishte një veprim me rrezik të lartë dhe nuk e di se ku do ta çonte Malin e Zi. Nuk do të ishte mirë që dikush të mos e miratojë buxhetin, ndërkaq se kush do ta zbatojë atë është së paku e rëndësishme”, tha Krivokapiq, më 25 nëntor.

Sipas propozimit të Gjeloshajt, në qeveri do të hynin partitë parlamentare nacionale dhe një pjesë e partive qytetare, të udhëhequra nga Lëvizja Qytetare URA, e cila është në pushtet, ndërsa kryeministër do të duhej të ishte lideri i tyre, Dritan Abazoviq.

Atë qeveri, në parlament do të duhej ta mbështeste subjekti opozitar Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Millo Gjukanoviqit. Por, ajo nuk ka dhënë ndonjë deklaratë lidhur me këtë rast.

“Që qeveria të ketë mbështetjen e DPS-së, me kushtin që ajo të mos jetë pjesë e Qeverisë. Në këtë mënyrë, në vitin e ardhshëm të fokusohemi në integrimet evropiane, në radhë të parë në luftën kundër korrupsionit, krimit, për të filluar përmbushjen e kërkesave të Komisionit Evropian në kapitujt 23 dhe 24. Krahas kësaj, të punojmë edhe për zhvillimin ekonomik dhe të standardit të qytetarëve, si dhe për qetësimin e tensioneve politike në Mal të Zi”, ka thënë Gjeloshaj për Radion Evropa e Lirë.

Lidhur me propozimin e kreut të Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, për formimin e një qeverie të pakicës, si rrugë për zgjidhjen e krizës së pushtetit në Mal të Zi, deputetët e shumicës së partive që do ta bënin një qeveri të tillë, u janë shmangur deklarimeve nëse kjo iniciativë do të ishte e pranueshme për ta.

E përkthyer në gjuhën e numrave, partitë që do të përbënin qeverinë e pakicës i kanë 14 deputetë në parlament dhe kanë nevojë për mbështetjen e 30 deputetëve të DPS-së. Parlamenti ka 81 deputetë.

Pse qeveria e pakicës?

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), ka një histori të gjatë të marrëdhënieve të koalicionit me partitë e pakicave në Mal të Zi.

Kur DPS-ja, pas tri dekadash qeverisje, vitin e kaluar kaloi në opozitë, partitë e pakicave e ndanë fatin e saj. Qeveria e re, Fronti Demokratik (DF) pro serb, Demokratët dhe URA, përmendën vetëm në mënyrë deklarative hyrjen e pakicave në qeveri. Këto parti, më 4 dhjetor të vitit të kaluar, votuan për një qeveri të ekspertëve, pothuajse njëetnike dhe e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, me në krye Zdravko Krivokapiqin.

Që nga fillimi, qeveria ka qenë nën sulmin e kritikave të Frontit Demokratik, për shkak se në qeveri nuk janë përfaqësuesit e saj politik.

Pas dështimit të negociatave disamujore për ristrukturimin e qeverisë së Krivokapiqit, Fronti Demokratik bëri një “ofertë të fundit”, një platformë për tejkalimin e krizës, e cila praktikisht nënkupton zgjedhjen e qeverisë së re dhe largimin e Krivokapiqit. Qeveria nuk e ka mbështetjen e Frontit Demokratik dhe me këtë as shumicën parlamentare të 41 deputetëve.

Platforma e Frontit Demokratik nuk ka hasur në mbështetjen e URA-s, e cila ka thënë se ky është një dokument që tashmë është parë dhe në të cilin nuk ka asgjë të re.

URA nuk e komenton ofertën e Gjeloshajt

Nga URA nuk kanë dashur të komentojnë për Radion Evropa e Lirë nismën e liderit të Alternativës Shqiptare.

Megjithatë, lideri i URA-s, Dritan Abazoviq, më 18 nëntor, nuk e ka përjashtuar mundësinë e formimit të qeverisë së pakicës.

“Qeveria e pakicës ekziston si opsion, por nuk e di se si mund të arrihet deri tek ajo, për shkak se qeveria ekzistuese po funksionon, pavarësisht problemeve. A mund të bëhet e pakicës, si ristrukturimpolitik, teknik…”, u ka thënë gazetarëve Abazoviq në qendrën për media.

Nënkryetari i URA, Goran Gjuroviç kujtoi se URA kishte ofertë nga DPS-ja për një qeveri të pakicës, pas zgjedhjeve në gusht të vitit të kaluar, kur DPS-ja humbi pushtetin. URA e kishte refuzuar atë ofertë dhe bashkëpunoi me Frontin Demokratik dhe Demokratët për formimin e një qeverie të ekspertëve.

Ura me katër deputetë është “guri në peshore” ndërmjet 40 deputetëve të opozitës aktuale që përvëhet prej DPS-së, partive të pakicave dhe disa subjekteve qytetare dhe në anën tjetër, Frontit Demokratik dhe Demokratëve që kanë 37 deputetë.

Gjeloshaj: Konsultimet janë duke vazhduar

Lideri i Alternativës Shqiptare, Nik Gjjeloshaj, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ka mbështetjen e partive të tjera politike, të cilat sipas propozimit të tij, mund të marrin pjesë në qeverinë e re potenciale, thekson se janë duke u bërë konsultime të rregullta edhe me partitë e pakicave tjera.

Gjeloshaj thotë që propozimi i është paraqitur edhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.

“Në kontaktet tona joformale me bashkësinë ndërkombëtare dhe me partnerët tonë në opozitë, e kemi paraqitur planin, ndërkaq që kemi dërguar porosi edhe për ata që aktualisht janë në njëfarë shumice parlamentare. Shpresoj se këtë vit do t’ia arrijmë që të fillojmë realizimin e këtij plani, nëse ka vullnet dhe dëshirë, pra nëse propozimi ynë është i pranueshëm”, theksoi Gjeloshaj.

Partia Boshnjake: Edhe modeli i Gjeloshajt është në tavolinë

Në qeverinë e pakicës, përveç URA-s, e cila është aktualisht në pushtet, do të hynin edhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe të boshnjakëve, si dhe partitë qytetare nga opozita, Socialdemokratët e Ivan Brajoviqit, Partia Socialdemokrate dhe Partia Liberale.

Zëdhënësi i Partisë Boshnjake, Adell Omeragiq, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se po zhvillohen bisedime intensive në nivel të partive të pakicave kombëtare, për modelet e tejkalimit të krizës aktuale politike.

“Modeli i propozuar nga Gjeloshaj është gjithsesi model për të cilin kemi biseduar në periudhën e kaluar. Nuk është i vetmi, por ai është modeli për të cilin po bisedojmë. Para nesh kemi ende mjaft bisedime. Të gjithë e kanë të qartë që qeveria aktuale e ka humbur legjitimitetin, se atë qeveri e mbështet mbase vetëm një deputet në Parlamentin malazez”, tha Omeragiq.

Ai thekson që qysh tash duhet “të mendohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ndërkaq që atyre zgjedhjeve gjithsesi duhet t’u paraprijë një qeveri e pakicës ose kalimtare”.

Omeragiq paralajmëroi që së shpejti mund të pranohet platforma e përbashkët e partive të pakicave kombëtare.

Fronti Demokratik paralajmëron se pa të nuk do të ketë qeveri

Fronti Demokratik në pushtet ka thënë se një qeveri pa të, do të ishte jodemokratike, jolegjitime, diskriminuese, antievropiane dhe antiqytetëruese.

“Kushtetuta e Malit të Zi na obligon që një qeveri të tillë nuk mund ta pranojmë si të ligjshme dhe legjitime. Fronti Demokratik do t’i mbrojë vlerat themelore, mbi të cilat bazohet Mali i Zi. Ata duan një qeveri kukull me DPS-në që do të ndante në mënyrë të rrezikshme Malin e Zi”, tha njëri nga liderët e Frontit Demokratik, Nebojsha Medojeviq, i cili shtoi se do të dinë se si të luftojnë “për lirinë dhe të drejtat e tyre, me mjete paqësore dhe demokratike, si në Kuvend dhe si në rrugë”.

Kolegu i Medojeviqit nga Fronti Demokratik, Millan Knezheviq, më 19 nëntor, në Parlamentin e Malit të Zi e ka akuzuar liderin e URA-s, Dritan Abazoviqin, se kinse ai dëshiron që të bëhet kryeministër i qeverisë së pakicës, të cilën do ta mbështeste DPS-ja.

“Nuk është e vërtetë që Fronti Demokratik ka hequr dorë nga qeveria politike e ekspertëve. Dritan Abazoviqi e ka hedhur poshtë atë mundësi duke dëshiruar që të bëhet kryeministër dhe që të shqyrtohet modeli i qeverisë së pakicës”, tha Knezheviq.

Qeveria e pakicës, rrezik shumë i madh për partitë në pushtet

Srgjan Periq nga Organizata Kod, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë vlerësoi që qeveria e pakicës do të ishte opsion tepër i rrezikshëm për cilëndo parti në pushtet, e cila do të angazhohej eventualisht në një aranzhim të tillë.

“Për mendimin tim, çfarëdolloj rikompozimi i disa partive në pushtet dhe bashkëpunimi me DPS-në nuk është real, sepse fatura (çmimi) politike i një manovre të tillë sigurisht që do të ishte shumë e lartë. Është e vërtetë se nga të gjithë përbërësit e qeverisë, URA ka potencialin më të madh të koalicionit, por URA, ashtu si dy partitë e tjera në pushtet, pati një fushatë të mprehtë kundër DPS-së për zgjedhjet e vitit të kaluar dhe do të ishte shumë e vështirë t’i shpjegohej votuesit ndryshimi i një kursi të tillë”, vlerësoi Periq.

Ai konsideron që Fronti Demokratik nuk do ta vështronte në mënyrë të qetë koalicionin eventual të URA-s dhe partive të pakicave, si dhe të një pjesë të opozitës me mbështetjen e DPS-së.

“Është e qartë se Fronti Demokratik (DF) do të kishte retorikë të mprehtë sepse një qeveri e tillë do të thoshte margjinalizimin e DF-së dhe kthimin në pozitat e para zgjedhjeve të gushtit”, tha Periq.

Kriza malazeze dhe bashkësia ndërkombëtare

Kriza politike në Mal të Zi ishte temë e bisedimeve të mbajtura në Podgoricë, në mes të nëntorit, me zyrtarë malazezë, përveç përfaqësuesve të Frontit Demokratik, nga i dërguari i veçantë i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai theksoi asokohe se qeveria aktuale e ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe se Uashingtoni nuk duhet të vendosë për strukturën e qeverisë malazeze.

Ai shtoi se “DF-ja, tash për tash, nuk është një partner amerikan” për shkak të fokusit të tyre në ndarjet etnike, në vend të rindërtimit ekonomik.