“Është marrëdhënia që kam me botën: gjithmonë duke u përpjekur të shpëtoj nga realiteti. Unë jam një ëndërrimtar; nuk ndihem në harmoni me epokën time apo shoqëritë ku jetoj”.
Malufi është në një mënyrë vazhduesi i traditës humaniste të Klod Levi-Shtrosit, ku nëpërmes shkrimeve të veta promovon pluralizmin e identiteteve dhe kulturave.
Mënyra e rrëfimit dhe mprehtësia e mendjes së Malufit është magjepsëse për lexuesin. Malufi është një autor shumë i pëlqyer, ndër të tjera, sepse veprat e tij janë të lehta për t’u lexuar, sepse ai din të udhëzojë lexuesin nëpër tekst në mënyrë të bukur, të thjeshtë dhe të kuptueshme. Temat jashtëzakonisht komplekse i zbut me aparatin e tij të gjerë intelektual, çdoherë të orientuar kah universalja.
Amin Maluf u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze, më 23 qershor 2011, për të plotësuar vendin e 29-të. Kur u pranua në Akademi, sipas traditës, ishte i detyruar t’ia kushtonte predikimin hyrës paraardhësit të tij të afërt, antropologut të madh Klod Levi-Shtros (Claude Levi-Strauss). Për shkak të hapësirës, Malufi nuk pati rast të përmendte qoftë Zhozef Mishon (në atë periudhë, madje, të harruar), qoftë Ernest Renanin, po ashtu pararendës të karrigës numër 29. Për këto arsye, në faqet hyrëse, autori pranon se ky libër ka “lindur për shkak të ndërgjegjes”. Malufi arriti në përfundim se vlen të tregohet historia e secilit prej tetëmbëdhjetë ‘të pavdekshmëve’ që i paraprinë.
Në esenë Karrigia në Senë – 400 vite të Akademisë Franceze (Un fauteuil sur la Seine – Quatre siecles d’histoire de France, 2016), Malufi tregon prapavijën e themelimit të Akademisë Franceze dhe kush ishin figurat që uleshin gjatë historisë në karrigen e 29-të.
Banori i parë i saj Pierre Bardin, i pranuar më 1634, u mbyt në Senë, katërmbëdhjetë muaj më vonë. Monterlani kreu vetëvrasje në apartamentin e tij me pamje në Senë, kurse vetë Akademia ndodhet në një zonë të vogël të kufizuar nga Sena.
Akademia Franceze është plot me histori dhe anekdota të pabesueshme. Para juve shfaqet një libër, në të cilin ka intrigë, urrejtje, jotolerancë. Mësojmë për Pierre Flourens, tashmë i harruar, i cili në shkurt të vitit 1840 u zgjodh në vend të Viktor Hygosë. Malufi na pasqyron në mënyrë mjeshtërore ceremoninë masonerike të Orientit të Madh me rastin e inicimit të Volterit, në praninë e figurës legjendare të Benjamin Franklinit. Në atë kohë një ceremoni e tillë u vlerësua si bashkim i Francës iluministe me Amerikën revolucionare, si simbole të transformimit të botës.
Po ashtu, vërejmë se ndikimi i Madam Pompadur, dashnores së Luigjit XV, u tregua vendimtar në fuqizimin e kampit të filozofëve iluministë krahas kampit klerik, në lojën e fuqisë brenda mureve të Akademisë.
Historiani Zhozef Misho, autor i Historisë së kryqëzatave, që shërbeu si bazë për librin debutues të Malufit Kryqëzatat parë nga sytë e arabëve, dy herë ka qenë i burgosur dhe pranë ekzekutimit, në ndërtesën e cila është sot shtëpia e Akademisë Franceze.
Një prej pararendësve me peshë të madhe, me ndikim ende sot në qarqet akademike, ishte ai i cili i pari e quajti Jezusin njeri të pakrahasueshëm, Ernest Renani. Më 1879, gjatë fjalimit inaugurues të pranimit në Akademi, Renani u shpreh se kardinali Rishele, si themelues i saj, 250 vite më vonë, vështirë se do të përkrahte idetë e tolerancës dhe të respektimit të mendimit të kundërt.
Kjo Shoqëri më e rëndësishme se çdo gjë që ka krijuar është një leksion i madh i lirisë, pasi këtu të gjitha mendimet filozofike, fetare, letrare, të gjitha mënyrat e të kuptuarit të jetës, të gjitha llojet e talenteve, qëndrojnë krah për krah njëri pranë tjetrit me të drejtë të barabartë.
Lexues i pasionuar i Kantit, Hegelit, studiues i zjarrtë i gjuhëve dhe civilizimeve semitike, Renani mbrojti doktoratën me temën Mbi Averoesin dhe averoizmin.
Ibn Ruzhd, i njohur si Averoes (1126-1198), filozof andaluziano-persian, teolog dhe përkthyes i veprave të Aristotelit, ka qenë mjeshtër në filozofinë e Aristotelit, në filozofinë islame, teologjinë islame, në drejtësinë islame, logjikë, mjekësi, gjeografi, fizikë, psikologji, matematikë, politikë etj.
Renani, më vonë, në një lojë të jashtëzakonshme të fatit, kaloi një periudhë jetësore në malet e Libanit (nga e ka prejardhjen familja e Malufit – zonë ku ndodh ngjarja e novelës Guri i Taniosit), për të mësuar për jetën e Jezu Krishtit. Ai pastaj do të botojë librin Jeta e Jezusit, që nxiti përplasje të mëdha dhe ndikoi që Renani të etiketohej si armik i madh i qarqeve klerike.
Mirëpo nga kjo distancë kohore, duke pasur parasysh ndodhitë në Perëndim, a nuk përfaqësonte Renani një shans real për besimin nga i cili u distancua, madje mund të themi një bekim?!
Duke i analizuar tekstet e shenjta përmes një site kritike të rreptë, ai i detyroi besimtarët të heqin dorë nga leximi fjalë për fjalë – sigurisht i lehtë, por i padobishëm dhe në planin afatgjatë shkatërrues.
Ata që arrijnë t’i ruajnë tekstet e tyre të shenjta nga çdo kritikë historike ose shkencore, vëren Malufi, vetëm sa e çojnë qytetërimin e tyre në tharje dhe ngurtësi – Kishës i duhej të shpëtonte, kundër vullnetit të saj, nga ngurtësia e saj mendore, në mënyrë që feja të mund të fillonte të bashkëjetonte në Perëndim. me shkencën, përparimin, lirinë.
Përveç përplasjeve që ka krijuar në trajtimin e figurës së Jezusit, Renani njihet si babai i teorisë së kombit.
Nuk është fakti që njerëzit flasin të njëjtën gjuhë ose i përkasin të njëjtit grup etnik që e bën një komb, por ata kanë bërë gjëra të mëdha së bashku në të kaluarën dhe duan të bëjnë shumë të tjera në të ardhmen.
Madje edhe gjatë periudhës së konflikteve mes Francës dhe Gjermanisë, rritjes së nacionalizmit në të dy anët, Renani kurrë nuk ka lejuar të bie viktimë e ndjenjave nacionaliste.
Figurë tjetër e madhe është ai që donte kulturat e brishta. Shtrosi u pranua më 1974. Në fjalimin e vet inaugurues shprehi rëndësinë e civilizimeve ekzotike, primitive, të egra – misioni i tij ishte të studionte njeriun në tërësinë e diversiteteve të tij dhe në unitetin e tij të thellë që tejkalon të gjitha dallimet – se në Tjetrin pasqyrohet diçka nga ne dhe e kundërta. Me rëndësi është të jemi të vetëdijshëm për këtë që ta kuptojmë veten më mirë. Nga fëmijëria, për shkak të rrethanave familjare, kuptoi se përparimi ka dy fytyra – një të ndritshme, një të errët. Ligjërimi i parë i tij publik, në Brazil më 1935, u titullua Kriza e përparimit.
Shtrosi ka treguar se dallimet mes atyre që paraqiten si të civilizuar kundrejt atyre që paraqiten si jo të civilizuar janë të mjegullta.
Shtrosin e angazhoi UNESCO-ja për të prezentuar vizionin e ri botëror, pasi Lufta II u shkaktua nga një lëvizje politike raciste. Po ashtu, ideja e superioritetit të racës së bardhë ishte ende mbizotëruese në mendjen e fituesve të luftës, si arsyetim për kolonializëm dhe aparteid. Në dokumentin e UNESCO-s shkruante se luftërat së pari fillojnë në mendjet e njerëzve dhe aty së pari duhet të ndërtohet godina e paqes.
Shtrosi kuptoi që nuk jemi plotësisht të lirë të përcaktojmë identitetin tonë dhe se shikimi i Tjetrit ndikon në masë të madhe – ndonjëherë edhe tragjikisht. Ai, në asnjë mënyrë, nuk ka pranuar se civilizimi perëndimor ka të drejtë, në emër të progresit të shkelë të tjerët (kujtojmë këtu poemën e Kiplingut Barra e njeriut të bardhë, që i kushtohet kritikës së idesë së supremacisë së racës së bardhë).
Ky debat, ende i pranishëm, do të zgjasë në qarqet intelektuale, kurse një frikë tjetër të madhe që detektoi është uniformizmi kulturor.
Malufi është në një mënyrë vazhduesi i traditës humaniste të Klod Levi-Shtrosit, ku nëpërmes shkrimeve të veta promovon pluralizmin e identiteteve dhe kulturave.
Krijimtaria e Malufit, siç don rasti mbreti i botës, ndërlidhet dhe begaton idetë mbi kombin dhe religjionin, të nisura nga Renani dhe ushqehet me filozofinë humaniste të Levi-Shtrosit.
Në fund, konkludojmë se mënyra e rrëfimit dhe mprehtësia e mendjes së Malufit është magjepsëse për lexuesin. Malufi është një autor shumë i pëlqyer, ndër të tjera, sepse veprat e tij janë të lehta për t’u lexuar, sepse ai din të udhëzojë lexuesin nëpër tekst në mënyrë të bukur, të thjeshtë dhe të kuptueshme. Temat jashtëzakonisht komplekse i zbut me aparatin e tij të gjerë intelektual, çdoherë të orientuar kah universalja. (Fund)
* Autori ka bërë pjesën më të madhe të përkthimeve të citimeve nga veprat e Malufit (qoftë nga gjuha angleze apo serbe). Përveç veprave të Malufit, burim i rëndësishëm për serialin Universi malufian kanë paraqitur shkrimet e prof. dr. Vesna Cakeliq mbi Amin Malufin, dy tekstet e kritikut letrar Teofil Pançiq dhe shkrimet kritike të botuara në revistën britanike The Guardian.