Të enjten, 17 shkurt, Kosova shënon 14-vjetorin e shtetësisë së saj.
Në praninë e krerëve më të lartë shtetërorë, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë bërë ngritjen solemne të flamurit të Kosovës para objektit të Qeverisë.
Më pas, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne për të shënuar 14-vjetorin e shtetësisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se popullit të Kosovës i janë dashur shumë mund dhe sfida për ta arritur lirinë.
“Ishte rezistenca e popullit tonë që trasoi hapat e mëpasshëm të luftës sonë për liri dhe për shtet”, ka thënë Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë rezultat i luftës çlirimtare, kauzës së drejtë për vetëvendosje dhe solidarizim i botës demokratike.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar një mori aktivitetesh për të shënuar këtë ditë.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 Shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.
Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.
Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.