Rusia ka nisur pushtimin Ukrainës

Rusia hodhi raketa në shumë qytete të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kiev, duke shënjestëruar objektet e mbrojtjes ajrore dhe infrastrukturën ushtarake, pak para agimit të së enjtes, ndërsa zbarkoi ushtarët në bregun jugor të vendit. Sulmi filloi menjëherë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi në televizion atë që ai e përshkroi si një “operacion special ushtarak”, të cilin ukrainas thonë se është një pushtim në shkallë të plotë të vendit të tyre, i dyti më i madhi në Evropë.

Presidenti rus u shfaq i zemëruar në një fjalim që u transmetua pak para orës 04 të mëngjesit sipas kohës së Evropës Qendrore, duke theksuar se nuk mund të toleronte më ato, që ai i quajti kërcënime nga Ukraina. Ai e përfundoi fjalimin e tij duke paralajmëruar fuqitë e jashtme që të mos ndërhyjnë, ndryshe do të shkaktonte “pasoja që ata nuk i kanë parë kurrë”.

Presidenti Putin tha se qëllimi i tij ishte “çmilitarizimi dhe denacifikimi i Ukrainës”, ndërsa theksoi se “do të sjellim në gjykatë ata që kanë kryer shumë krime, përgjegjës për gjakderdhjen e civilëve, duke përfshirë qytetarët rusë”.

Ai paralajmëroi se nëse ushtarët ukrainas nuk i dorëzojnë armët, do të jenë përgjegjës për gjakderdhjen.

Menjëherë pasi fjalimit të tij, u dëgjuan shpërthime intensive raketash në qytetin lindor, Kharkiv dhe më pas u dëgjuan shpërthime sporadike në periferi të Kievit, nga drejtimi i aeroportit kryesor ndërkombëtar Boryspil dhe aeroportit të tij të dytë, në Zhuliany.

“Putini sapo ka nisur një pushtim të plotë të Ukrainës. Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm”, tha ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba në rrjetet sociale. “Kjo është një luftë agresioni. Ukraina do ta mbrojë veten dhe do të fitojë. Bota mund dhe duhet ta ndalojë Putinin. Tani është koha për të vepruar”, shkroi ministri Kuleba.

Brenda disa orësh pas sulmeve me raketa, tanket ruse kaluan kufijtë e Ukrainës, nga Rusia, Bjellorusia dhe nga Krimea, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Moska në vitin 2014. Zyrtarët ukrainas thanë se forcat amfibe ruse zbarkuan pranë Odesës në bregun e Detit të Zi.

Ukraina shpalli ligjin ushtarak – ndërpreu marrëdhëniet me Moskën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shpalli ligjin ushtarak, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bëjnë panik, pasi Rusia nisi sulmet ndaj vendit te tij. Ai tha të enjten se Rusia ka vënë në shënjestër infrastrukturën ushtarake të Ukrainës dhe se shpërthime janë dëgjuar në gjithë vendin.

Më vonë ai shpalli ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Moskën, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që janë të gatshëm të mbrojnë vendin e tyre të paraqiten për t’u armatosur.

Presidenti Zelenskyy tha se ka biseduar në telefon me presidentin amerikan, Joe Biden dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për Ukrainën.