Ferhat Dinosha: Abazoviq nuk mund ta formojë qeverinë pa partinë e Djukanovic-it

Ish-ambasadori i Malit të Zi në Kosovë dhe njohësi i mirë i rrethanave politike, Ferhat Dinosha pret që Dritan Abazoviq të bëhet kryeministër i Malit të Zi. Megjithatë, ai ka thënë se ky i fundit ka bërë gabim që ishte futur më herët në qeveri me partitë proserbe, të cilat rrezikuan shpërbërjen e shtetit.

“Unë besoj se ai do të bëhet kryeministër dhe është mirë që do të bëhet kështu, pasi deri më tash i njëjti person, pra z. Abazoviq ishte në një qeveri tjetër e cila rrezikonte ecjen e Malit të Zi në rrugën properëndimore”, ka thënë Dinosha në “RTK Prime”.

Ai ka thënë se emërtimi URA nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët dhe është grupim politik që nuk ka vota shqiptare.

“Emërtimi URA rrjedh nga grupimi politik Aksioni i Bashkuar Reformist. Pra, duhet të mos mendohet se ka orgjinë shqiptare. Qëllimi kryesor i Abazoviqit ka qenë ta luftojë korrupsionin. Tash lëvizja e tij është strategjike, por nuk duhet harruar fakti se ky i mundësoi serbëve të provojnë pushtetin në Mal të Zi dhe gjërat tash nuk do të shkojnë aq lehtë. Tani mund të ketë protesta me pasoja më të rënda për shtetin dhe kjo mund të mos të ndodhte fare sikur të mos krijohej qeveria e kaluar. Nëse Abazoviq nuk do të hynte në qeveri me partitë proserbe, Mali i Zi do të vazhdonte rrugën proevropiane qysh para një viti”, ka shtuar Dinosha.

Ai tutje ka thënë se të gjitha partitë proserbe kanë qenë kundër pavarësimit të Malit të Zi, kundër anëtarësimit në NATO dhe kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, derisa thotë se qeveria e pakicës nuk mund të formohet pa partinë e Milo Djukanovic-it.

“Abazoviq u kthye aty ku ishte para një viti sepse ky nuk mund ta formojë qeverinë pa partinë e Milo Djukanovic-it e cila ka numrin më të madh të deputetëve. Këta deputetë Djukanovic i kishte edhe para se të formohej qeveria e Krivokapic-it. Uroj që Abazoviq e ka kuptuar se me partitë tjera e kishte humbur rrugën sepse ose je për Malin e Zi si pjesë e politikave properëndimore ose je për Malin e Zi që i do politikat lindore me Beogradin dhe Moskën”, ka potencuar Dinosha.

Lidhur me atë se Abazoviq shumë shpejt ka gjasa që të bëhet kryeministri i tretë shqiptar në Ballkan, ai është shprehur: ”Deri diku kjo është e vërtetë, pasi ai ka prejardhje shqiptare, por nuk ka habitus shqiptar dhe aty përfundon shqiptarizmi i tij. Pra, me origjinë është shqiptar, por ju e shihni një sufiks edhe në fund të mbiemrit që ka qenë dominant në kohën e komunizmit dhe vazhdon të jetë i pranishëm te mbiemri i tij. ‘Viq’ është sufiks sllav dhe shqiptarit i cili dëshiron të jetë pjesë e ecurive shqiptare në Ballkan jo vetëm në Mal të Zi, besoj se do të duhej t’i pengonte kjo. Do të kishte tingëlluar më bukur Abazi se Abazoviq për një shqiptar”, ka nëvizuar Dinosha.

Ai tutje ka thënë se Abazoviq është i shkathtë në politikë dhe di të nuhasë situatën, por asnjëherë nuk ka tentuar të futet në parti shqiptare dhe nga aty ta ndërtojë karrierën e tij politike. Sa i përket akuzave të Abazoviqit se partitë shqiptare kanë qenë pjesë e shkatërrimit të shtetit nga korrupsioni i Djukanovic-it, ish-ambasadori shqiptar i Malit të Zi në Kosovë ka thënë se korrupsioni mund të jetë dobësi që ka gllabëruar shtetin, por nuk mund të jetë dobësi në krahasim me rrezikun e shpërbërjes së shtetit.

“Nëse është pavarësia e Malit të Zi dëm, nëse NATO është dëm dhe nëse njohja e Kosovës është dëm, atëherë po, i kemi bërë dëm shtetit dhe le të na gjykojë secila strukturë ose ciladoqoftë periudhë kohore. Por, unë nuk besoj se është ashtu sepse këto janë prodhime të mira si për Malin e Zi ashtu edhe për shqiptarët në Ballkan. Korrupsioni mund të jetë dobësi që ka gllabëruar shtetin, por nuk mund të jetë dobësi në krahasim me shpërbërjen e shtetit që do ta bënin forcat me të cilat ai ka bashkëpunuar. Gatishmëria e tij për të hyrë në Qeveri për ta luftuar korrupsionin me çetnikë nuk flet për pastërti politike, e as për ecje të mirëfilltë të faktorit shqiptar në Ballkan. Nuk mund të më thuash se dua ta bëj jetën më të mirë në Tuz e në Ulqin në qeveri me çetnikë”, është shprehur Dinosha./B.HALIMI/