Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, por ende nuk ka filluar t’i zbatojë.
Jahti “My Solaris” i miliarderit rus, Roman Abramovich ka lundruar në portin e Tivatit në Mal të Zi të shtunën, më 12 mars, njofton Radio Evropa e Lirë.
Disa ditë më parë një tjetër jaht, që dyshohet të jetë në pronësinë e një oligarku tjetër rus, Vagit Alekperov, lundroi gjithashtu në portin e Tivatit.
Sanksionet ndaj pronave të miliarderëve rusë, që gjenden në mbarë botën, u vendosën për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
Përderisa Perëndimi po vazhdon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, Podgorica zyrtare, që i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian, ende nuk ka marrë ndonjë vendim që t’i zbatojë ato.
Më 1 mars, Qeveria e Malit të Zi njoftoi se vendi i ishte bashkuar të gjitha masave kufizuese, përfshirë tetë pakove të sanksioneve të individëve dhe sanksioneve ekonomike që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë.
Abramovich po ashtu më herët gjatë ditës është pezulluar nga posti i drejtorit të klubit futbollistik anglez, Chelsea, pas sanksioneve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar ndaj miliarderit rus. /MALESIA.ORG/