Në qytetin e Livonias, Michigan më 6 Prill do të kremtohet dita e shqiptarë ku aktiviteti do të kulmojë me ngritjen e Flamurit në bashkinë e qytetit.
Është hera e parë në historinë e komunitetit që organizohet një ngjarja e përmasave të tilla. E iniciuar nga këshilltari shqiptar në Bashkinë e Qytetit të Livonias Rob Gjonaj Donovic kjo festë synon që të kthehet në traditë duke mbledhur shqiptarët nga të gjitha pjesët e Amerikës, në Michigan ku me krenari të parakalojnë dhe festojnë ngritjen e flamurit kombëtar në godinën e qytetit.
Bashkë organizatori i këtij eventi dhe njëkohësisht kryetar i shoqatës Jehona e Malësisë (sponsore e aktivitetit) Vilson Sinishtaj shpjegon për “Diaspora Shqiptare” se 6 prilli është zgjedhur për një arsye të veçantë.
“6 prilli ka një simbolikë të veçantë për komunitetin tonë, është dita e kryengritjes së Malësisë së Madhe, e cila nisi edhe valën e kryengritjeve që çuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”.
Sinishtaj shpjegon se kjo është hera e parë në Michigan që organizohet ky lloj manifestimi dhe kjo falë këshilltarit Gjonaj.
Aktiviteti pas ngritjes së Flamurit Shqiptar në godinën e qytetit do të ketë edhe takime me ligjvënësit e qytetit të Livonias.
/DiasporaShqiptare.al/