Shkruan: Mark Junçaj, prof. i Historisë
Para 144 vitesh, shqiptarët u gjenden në një pozitë teje të vështirë, pasi që po vendosej fati i viseve të tyre, pa i pyetur fare. Kjo gjendje ishte pasojë e ambicieve ekspansioniste të shteteve fqinje të cilat, për interesa të saj, i përkrahu Rusia. Rusia, pasi e mundi Perandorinë Osmane, më 3 mars 1878 e detyroi të nënshkruajë Traktatin e Shën Stefanit, që e linte shtetin osman pa shumicën e territoreve ballkanike. Ky Traktat ishte më se i dëmshëm për viset shqiptare, pasi që 50% e trojeve shqiptare u jepeshin fqinjëve, ndër to edhe pjesë të Malësisë së Mashe si Hoti, Gruda, Kelmendi, Trieshi dhe Koja.
Për fat të shqiptarëve, Fuqitë e Mëdha këtë e shihnin si fuqizim të Rusisë në Ballkan dhe ishin kundër kësaj, ashtu që, në radhë të parë, Britania e Madhe dhe Austro-Hungaria kërkuan që ky Traktat të rishqyrtohet në një kongres ndërkombëtar. Rusia e ndodhur para presionit ndërkombëtar u detyrua që të pranojë këtë rishqyrtim, për të cilin u vendos të mbahet Kongresi në Berlin. Ky intervenim i Fuqive të Mëdha u dha kohë shqiptarëve që të fillojnë përgatitjet për të vepruar në të mirë të viseve arbërore. Menjëherë, atdhetarët shqiptarë dërguan protesta të ndryshme kundër vendimeve të Shën Stefanit, si edhe filluan përgatitjet për thirrjen e kuvendit kombëtar.
Pas përgatitjeve të shumta, më 10 qershor 1878 kuvendi i fillojë punimet në Prizren. Në këtë kuvend morën pjesë shumë delegatë, mirëpo, na mungon lista e plotë e pjesëmarrësve. Figurat më të shquara që morën pjesë janë: Abdyl Frashëri, Iljaz pashë Dibra, Ymer Prizreni, Ali bej Gucia, Sulejman Vokshi, Filip Doda, Ali Ibra etj. Dihet se më 10 qershor nuk morën pjesë delegatët e Vilajetit të Shkodrës, ndër ta as të Malësisë së Madhe, sepse ushtria malazeze kishte hyrë në Triesh dhe në Dinoshë, ashtu që rrinin në gatishmëri në rast të ndonjë sulmi. Në kuvend u themelua organizata me karakter politik e ushtarak, e cila do të kishte një qendër të vetme drejtuese. Kjo organizatë ende nuk ishte organizatë kombëtare dhe do të bëhet e tillë vetëm në fund të qershorit 1878, konkretisht me ardhjen e delegatëve të Vilajetit të Shkodrës. Po më 10 qershor kuvendi miratoi një protestë, drejtuar Kongresit të Berlinit, me të cilën kundërshtohej copëtimi i viseve shqiptare.
Më 13 qershor i filloi punimet Kongresi i Berlinit, i cili i vazhdoi deri më 13 korrik 1878. Në Kongres fjalën kryesore e kishin përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha: Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Rusisë, Francës, Italisë dhe Austro-Hungarisë. Kongresi nuk i mori fare parasysh protestat e shumta shqiptare por vendosi që Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi t’ua njoh pavarësinë, si edhe zgjerimin territorial. Përveç viseve tjera, Shqipërisë iu morën Tivari, Trieshi, Koja, Plava e Gucia.
Shqiptarët protestuan sidomos kundër dhënies së Plavës e Gucisë Malit të Zi, mirëpo, kjo nuk u mor parasysh. Atëherë, Lidhja e Prizrenit përgatiti forcat e saj për mbrojtjen e këtyre viseve. Shqiptarët formuan shtabin ushtarak për mbrojtjen e Plavës e Gucisë me komandant Ali Gucinë. Duke e parë se shqiptarët nuk do të pranojnë të dorëzojnë Plavën e Gucinë, Mali i Zi e dërgoi ushtrinë për pushtimin e këtyre viseve. Nga tetori 1879 deri në janar 1880 u zhvilluan luftime mes malazezëve dhe shqiptarëve, ndër të cilat veçohen beteja e Nokshiqit (4 dhjetor 1879) dhe në Velikë e Pepaj (8 janar 1880), në të cilat shqiptarët korrën fitore. Mbas këtyre disfatave, ushtria malazeze u tërhoq.
Mali i Zi protestoi pranë Fuqive të Mëdha për mosdorëzimin e këtyre viseve. Fuqitë e Mëdha, duke mos parë zgjidhje tjetër, vendosën që të bëhet shkëmbim territoresh, ashtu që në vend të Plavës e Gucisë, Malit të Zi t’i jepeshin vise tjera. Mbas shumë diskutimesh u aprovua propozimi i kontit Korti, që Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë t’i dorëzohen viset e Hotit e të Grudës. Konti Kroti këtë e arsyetojë me faktin se në Hot e Grudë shumica e banorëve janë të krishterë, ashtu që nuk do të kundërshtojnë bashkimin me Malin e Zi. Por ky arsyetim i Kortit ishte më se i gabuar, pasi që pa marrë parasysh religjionin, shqiptari është shqiptar. Pa humbur kohë, Lidhja e Prizrenit formoi shtabin ushtarak për mbrojtjen e Hotit e Grudës me në krye Hodo Sokolin, ndërsa anëtarë të shtabit ishin edhe Çun Mula, Smail Martini, Smail Marku, Baca Kurti, Nikë Gila etj. Selia e shtabit ishte në Tuz. Fuqitë e Mëdha vendosen që këto vise t’i kalojnë Malit të Zi më 22 prill 1880. Atë ditë, posa u larguan trupat osmane, vendin e tyre e zunë vullnetarët shqiptarë, të cilët e pritën ushtrinë malazeze. Në luftimet që u zhvilluan tek Ura e Zharnicës, në Helm dhe në breg të lumit Cem, vullnetarët shqiptarë korrën fitore. Deri në fund të vitit 1880 këto vise do të administrohen nga Lidhja e Prizrenit.
Duke e parë se me luftë nuk mundet ti pushtojë këto vise, Mali i Zi sërish protestoi pran Fuqive të Mëdha, të cilat vendosen që edhe njëherë të bëjnë shkëmbim territoresh, ashtu që më 15 qershor 1880 vendosen që në vend të Hotit e të Grudës, Malit të Zi t’i jepej Ulqini. Shqiptarët u organizuan për mbrojtjen e Ulqinit, mirëpo këtë herë u angazhuan edhe Fuqitë e Mëdha, të cilat ndërmorën një demonstrim naval. Nën trysninë evropiane, Perandoria Osmane sulmoi pozitat shqiptare dhe më 23 nëntor 1880 hyri në Ulqin, ndërsa më 26 nëntor ia dorëzoi ushtrisë malazeze.
Pas dorëzimit të Ulqinit, Lidhja e Prizrenit vendosi që të ngritët kundër Perandorisë Osmane, ashtu që në janar 1881 vendosi të formojë qeverinë e përkohshme me në krye Ymer Prizrenin. Lidhja filloi në Kosovë të zëvendësojë administratën osmane me atë shqiptare dhe ky ishte një hap drejt pavarësisë. Porta, duke u frikësuar se viset shqiptare po pavarësohen, vendosi të shkatërroi Lidhjen e Prizrenit. Në krye të ushtrisë ndëshkuese vendosi Dërvish Pashën, i cili, pasi likuidoi prijësit e Shkodrës, u nis kundër atyre të Kosovës. Ushtria osmane hasi në rezistencë në Slivovë (20 prill), Shtimje (21 prill) dhe në Grykë të Carralevës, fshatin Dule e në hyrje të Suharekës (22 prill), mirëpo, për shkak të mungesës së armatimit të rëndë, shqiptarët pësuan disfatë në të gjitha këto beteja. Më në fund, më 23 prill 1881 Dervish pasha hyri në Prizren, me ç’rast burgosi shumë drejtues të Lidhjes. Kryetari i Lidhjes, Ymer Prizreni iku në Ulqin, ku vdiq më 1884, ndërsa Abdyl Frashëri u arrestua dhe u internua. Sulejman Vokshi vazhdoi me rezistencë deri në vitin 1885.
Në fund, mund të themi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizata më e rëndësishme shqiptare pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, pasi që kishte program të qartë kombëtar, edhe pse në fillimet e saj nuk ishte qartë e përcaktuar, por me kalimin e kohës u bë organizatë mbarëkombëtare. Nuk munguan protestat e ndryshme dërguar Fuqive të Mëdha, por as kundërshtimi i vendimeve të këtyre fuqive, saqë kjo vërehet më së miri me rastin e mbrojtjes së Plavës e Gucisë dhe të Hotit e Grudës. Po ashtu, luftimet me Perandorinë Osmane dëshmojnë se qëllimi përfundimtar i Lidhjes ishte krijimi i shtetit të pavarur shqiptar. Me shkatërrimin e lidhjes çështjes kombëtare iu dha një goditje e rëndë, megjithatë idetë e Lidhjes nuk vdiqën dhe vazhdojnë të jetojnë në mesin e atdhetarëve shqiptarë.