Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapin zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE


Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të martën hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në selinë e BE-së në Bruksel, më 19 korrik u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, në të cilën Maqedonia e Veriut zyrtarisht i hapi negociatat.

Pas kësaj, u mbajt edhe konferenca me Shqipërinë, e cila ka qenë në bllokun e njëjtë me Shkupin, sa i përket rrugëtimit drejt BE-së.

Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, me punë, vlerësime, pritje, premtime të pambajtura dhe rinisje të mundimshme.

Por, ai tha se Evropa mundëson që Ballkani Perëndimor të jetë një vend me paqe dhe prosperitet.

“Evropa me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i katër lirive të BE-së po ashtu. Duke filluar nga sot, bisedimet e anëtarësimit nuk e bëjnë ëndrrën tonë realitet, por e bëjnë realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit”, tha Rama.