Bajram Begaj u betua më 24 korrik si president i Shqipërisë para deputetëve të Kuvendit, duke u bërë presidenti i tetë i Republikës.
Gjatë fjalimit, Begaj tha se përgjegjësia e tij vjen në një moment historik për Shqipërinë, e cila zyrtarisht filloi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme europiane. Shqipëria europiane, sot premtim dhe nesër realitet është kurora e ëndrrës më të bukur të popullit shqiptar”, u shpreh ai.
Presidenti tha se e njeh, mbështet dhe respekton punën e qeverisë dhe se dëshiron nga opozita “të mos shihet konflikti para bashkëpunimit”.
“Periudha që po jetojmë është nga më të paparashikueshmet”, tha presidenti.
Në ceremoninë solemne të betimit të presidentit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit fetarë të Shqipërisë dhe ambasadorët.
Begaj, një ushtarak karriere u zgjodh president i Shqipërisë më 4 qershor të këtij viti, me 78 vota të deputetëve të Kuvendit në raundin e tretë, pasi që Partia Socialiste në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë nuk ishin pajtuar për zgjedhjen e një figure konsensuale për president. PD ka refuzuar votimin e Begajt dhe e ka cilësuar jo-kushtetues emërimin e tij.
Mjek në profesion, ai vjen si President nga pozita e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Që nga viti 1998 ai ka shërbyer në disa poste administrative ushtarake, si komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor, dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Begaj bëhet presidenti i tetë i Shqipërisë që nga rënia e komunizmit. Ai merr detyrën nga Ilir Meta, presidenca e të cilit u karakterizua me përplasje me Qeverinë e Edi Ramës dhe beteja ligjore në Gjykatën Kushtetuese.
Pozita e Presidentit në Shqipëri është kryesisht ceremoniale, por presidenti ka përgjegjësi të shtuara në drejtimin e përgjithshëm të politikës së jashtme dhe sigurisë.