(Roger Scruton, Nevoja për kombe, Përktheu: Albert Bikaj, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, Ulqin, 2022)
Pas librave “Filozofia moderne: nga Aristoteli te filozofia analitike”, “Si të jesh i djathtë” dhe “E bukura”, vjen në gjuhën shqipe një libër tjetër i filozofit të njohur anglez, Roger Scruton. Para disa ditësh ka dalë nga shtypi libri “Nevoja për kombe”, përkthyer mjeshtërisht nga Albert Bikaj.
Në këtë libër autori mbron konceptin e shtetit-komb, si një formë e sprovuar e qeverisjes. Megjithëse nuk është një formë e përsosur e organizimit shtetëror, Scruton nuk pajtohet me ata që mendojnë se kjo është një formë e vjetëruar dhe e tejkaluar e shtetit. Autori argumenton se shteti-komb është vënë në rrezik përballë përpjekjeve për krijimin e institucioneve dhe organizatave mbikombëtare, siç janë për shembull Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe të ngjashme me to. Ai shprehet se nuk guxojmë të eksperimentojmë me forma të reja, sepse jemi duke vënë në rrezik të arriturat e deritashme, konkretisht shtetin komb.
Megjithëse Scruton përshkruan dhe i referohet realitetit anglez, ky libër i përshtatet shumë mirë realitetit shqiptar dhe sfidave të shoqërisë shqiptare përballë rritjes së propaganduesve dhe ithtarëve të kozmopolitizmit utopik. Pikërisht kjo është arsyeja që e ka nxitur intelektualin e ri nga Malësia, Albert Bikaj, për të përkthyer këtë libër në gjuhën shqipe.
“Sot koncepti i kombit në botën perëndimore është shumë në rrezik, e bashkë me Perëndimin, në forma të ndryshme, përballen edhe kombet e tjera të Evropës, e ndër to edhe ai yni. Kjo është edhe arsyeja e përzgjedhjes, përkthimit dhe botimit të këtij libri në gjuhën shqipe, në të cilin Sir Roger Scruton, nga perspektiva angleze, ndonëse duke mbajtur qëndrim kritik ndaj nacionalizmit, mbron në mënyrë elokuente konceptin dhe rolin e rëndësishëm të atdhedashurisë dhe kombësisë, si dhe paralajmëron pasojat fatale në rast të shkatërrimit të këtij koncepti. Sipas tij, kozmopolitizmi utopik është po aq i rrezikshëm sa nacionalizmi shovinist”, shkrun Bikaj në Fjala e përkthyesit.
Libri fillon me parathënien e Robert Rowthorn nga Universiteti i Kembrixhit, parathënien e redaktorit David G. Green dhe fjalën e përkthyesit në gjuhën shqipe Albert Bikaj.
Libri është botuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën “Fiorentia” në Shkodër. Redaktor gjuhësor është Ismet Kallaba, korrektorë Albana Bikaj dhe Ilir Shallo, kurse faqosja është bërë nga Studio Bernino – Tuz
Roger Scruton (1944-2020) ishte filozof anglez i shquar për promovimin elokuent të estetikës dhe konservatorizmit tradicional. Ka punuar si profesor i filozofisë dhe estetikës në universitetet prestigjoze në Bërkbek, Boston dhe Oksford. Është autor i mbi 30 librave, përfshirë veprat filozofike, letrare. Veprat e tij janë përkthyer në shumicën e gjuhëve kryesore botërore, ndërsa veprat e tij më të njohura edhe në gjuhën shqipe.
Marrë nga Koha Javore – i. k.