Kujt i pengon ndërtimi i monumentit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, në Ulqin ?

Shkruan: Xheladin Zeneli

Këte muaj, përkatësisht me 30 Tetor të këtij viti bëhen plot katër vite nga dita kur kuvendi i Komunës së Ulqinit, ka miratuar ngritjen e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në rrethin e qarkullimit rrugor që gjindet në bulevardin kryesor të këtij qyteti i cili mban emërin e heroit tonë kombëtar.

Ky vendim është aprovuar edhe nga Ministria e Kulturës në Mal të Zi. Kurse pjesën financiare të ndërtimit të monumentit që nga fillimi, e ka marrë mbi sipër mërgata shqiptare në SHBA, përkatësisht Fondacioni “Dom Simon Filipaj” me seli në New York, i cili në bashkëpunim me OJQ “ Don Gjon Buzuku” në Ulqin kanë kontraktuar projektuesin dhe ndërtuesin e monumentit në fjalë.

Pas tejkalimit të shumë peripecive ligjore e administrative, pengesave të ndryshme, ndër të tjera edhe lidhur me ate se si do të shkruhet emri i heroit në piedestal etj.,megjithate ky projekt ka mbetur ende pa u realizuar.

Që nga viti 2018 kur është aprovuar vendimi për realizimin e këtij projekti janë ndërruar tre kryetarë komune, por asnjëri prej tyre deri më sot ,nuk ka arritur që ta vendos nënshkrimin e tij në egzekutimin e vendimit për realizimin e monumentit në fjalë.

Padyshim se përgjegjësia kryesore për zvarritjen e realizimit të këtij projekti bjen mbi pushtetin lokal të Ulqinit në mandatin e kaluar, ku dy kryetarët e Komunës (të dy nga radhët e PDS-së),të cilët derisa ishin në at pozitë,nuk e kanë nënshkruar formalisht egzekutimin e vendimit për vendosjen e këtij monumenti.

Gjithashtu përgjegjësi mbajnë edhe partitë politike që veprojnë në Komunën e Ulqinit e që vetë identifikohen si parti nacionale shqiptare dhe të cilat në një mënyrë apo tjetër kanë qenë dhe janë pjesë përbërëse e qeverisjes lokale por që për habi , me këte rast nuk kanë reaguar mjaftueshëm dhe ka pasur një mungesë vendosmërie nga ana e tyre për realizimin e këtij monumenti në një afat të arsyeshëm kohor.

Paraqet një paradoks fakti se se si këto parti nacionale shqiptare në fushatat e tyre parazgjedhore valvisin flamurin kuq e zi, pra ‘flamurin e Skenderbeut’, dhe thirren në identitetin, kulturën, traditën dhe historinë tonë kombëtare shqiptare dhe mbledhin vota në emër të patriotizmit ,por kur është puna për të vepruar në mënyrë konkrete siç është pra ngritja e monumentit të heroit tonë kombëtar në Ulqin, përveç ndonjë zëri të vetmuar, ata me heshtjen dhe ngurrimin e tyre kanë qenë shumë pasiv dhe pa ndikim.

Kur zvarritja nuk është më pasojë e një burukracie dhe procedure administrative, por mvaret vetëm nga nënshkrimi formal i kreut të Komunës së Ulqinit, atëherë mund të shtrohet edhe pyetja se mos vallë dikujt po i pengon vendosja e monumentit të Skenderbeut në Ulqin !?.

Mbetet të shihet nëse kryetari i ri i Komunës i cili gjindet vetëm disa muaj në kry të detyrës do të vendos nënshkrimin e tij për aprovimin e monumentit në fjalë.Siç dihet kryetari i tanishëm i Komunës së Ulqinit vjen nga radhët e një partie qytetare, pra nga Aksioni Reformist i Bashkuar (URA) dhe poashtu dihet deklarata e ‘bosit’ të tij partiak, z. Abazoviq lidhur me prejardhjen serbe të prindërve të Skenderbeut që nxiti reagime të shumta në opinionin shqiptar.

Nga koha e ardhjes në pushtet të kualicionit të ri qeverisës në Komunën e Ulqinit të dalur nga zgjedhjet lokale të 27 Marsit 2022, nuk ka pasur ndonjë prononcim publik lidhur me këte, çka len të kuptoi se monumenti në fjalë nuk është një ndër prioritetet e saj.

Pas gjithë kësaj që u tha më lart, tashmë nuk shtrohet më pyetja se kur do të vendoset monumenti i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në Ulqin, por a do të realizohet ndonjiherë ky projekt i rëndësishëm kulturor për popullsinë shumicë të kësaj Komune.

Mos realizimi eventual i ngritjes së munumentit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në rrethrrotullimin e bulevardit kryesor të qytetit, jo vetëm që do të ishte zhgënjim i rradhës së qeverisjes lokale ndaj atyre që iu është premtuar,por njëherit edhe një fyerje ndaj heroit dhe figurës më të shquar historike e kombëtare të shqiptarëve ,të cilët janë popullsi shumicë në Komunën e Ulqinit.

Xheladin Zeneli

Tetor 2022