Pardje botova një shkrim në të cilin kritikova një përfaqësus të partisë Boshnjake të Tuzit, e që për fajin tim, të titullimit jo preciz, mund të jetë keqkuptuar nga ata që nuk e kanë lexuar tekstin e plotë. Por duket se qënkam ngutur, pasi ai tekst u dashka t’i adresohej Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), e jo një funksioneri — i cili me aq sa u informova mban qëndrim ndryshe nga partia e vet. Mea maxima culpæ!
Të kthehemi në temë.
Sipas PDS-së së Gjukanoviq emri i humanistes Nënë Terezës nuk qënka i përshtatshëm, pasi thyenka parimet sekulare të shtetit të Malit të Zi…
Para së gjithash tingëllon goxha ironike kur e dëgjon këtë nga kjo parti, e cila vetëcilësohet si gardianene e vlerave të demokracisë liberale, multietnike, multireligjioze dhe qytetare të Malit të Zi, apo jo?
Kjo deklaratë nuk më habitë aspak për faktin e thjeshtë se njoh origjinën dhe veprimtarinë e tyre politike, retorikën dhe strategjinë “divide et impera” para e pas demokracisë, veçanërisht atë mbas pavarësisë së Malit të Zi me rastin e vëndosjës së kishës ilegale në Rumi, e sidomos me rastin famëkeq të “Fluturimit të shqiponjës” — kur për herë të parë në histori qeveria e drejtuar nga partia juaj terrorizoi Malësinë dhe akuzuoi bashkëkombasit tanë për “irredentizëm” dhe “terrorizëm”. Madje, kësaj të fundit u munduan t’i japin kahje rradikale, duke e instrumentalizuar fetarisht; natyrisht, kjo për të nxitur ndasi në Malësi. Gjë që nuk ia arritën. Nuk do ia arrisin as tani që tëntojnë të na tregojnë se si duhet ta përkufizojmë Nënë Terezën – pasi ne pa dallim jemi të vetëdishëm se ajo është figurë e lartë kombëtare.
Por me qenë se sekularizmin e paski marrë me zell, dëshiroj t’ua kujtoj disa gjëra. Ndërkohë që ju po mbroki sekularizmin, ju ftoj të hapni sytë e të shikoni përreth: flamuri dhe simbolet e shtetit malazias janë eksluzivisht me motive fetare; figurat shtetërore malaziase ndër ta janë dinastë kishtarë, ipeshkvinjë e shenjtorë ortodoksë – emrat e të cilëve i mbajnë shumë institucione, përfshirë ato arsimore – të cilët, që të kuptohemi, nuk u pengojnë askujt, aq më pak shqiptarëve sepse nuk kemi krizë apo kompleks identiteti.
Madje, përkundrazi, kur një parti pati nxitur debate mbi [jo]sekularitetin e simboleve dhe ndryshimin e tyre, përfaqësusit shqiptarë dhe ai kroate me të drejtë u dolën në mbrojtje këtyre të fundit. Pasi ne si popull, që u takon dy traditave të mëdha abrahamike, i respektojmë ato, pa dallim; nuk kemi as komplekse fetare.
Nga ana tjetër, siç e kam shpjeguar në shkrimin e djeshëm, sekularizmi neutral garanton lirinë e besimit. Kjo është bindje jo thjeshtë e imja, por e drejtë e garantuar me kushtetutë. Ndërsa sekularizmi që propagandoni ju mund të jetë i modelit komunist, anti-fetarë, që parimisht bie ndesh me kushtetutën, por edhe me vetvetën tuaj. Sepse sipas standardeve medemek sekulare të PDS-së së Tuzit, Mali i Zi me simbolet e veta i thyeka të gjitha këto parime, prandaj, sipas kësaj logjike, u dashka të ndryshohën. Apo jo?
Mjaft më me demagogji e përçarje! Është plotësisht e qartë për të gjithë se problemi nuk është fakti se Nënë Tereza është shenjtëreshë katolike, por etnia e sajë shqiptare!
Retorika tencencioze po dështon, pasi e dimë shumë mirë se ekzistenca e juaj partiake së varet nga përçarjet identitare në Mal të Zi. Por kjo nuk ecën më. Tashmë e keni humbur monopolin. Tani e tutje do duhët të mësoheni me faktin e “dhimbshëm” se ky shtet dhe institucionet e tij sipas të drejtave kushtetuese u takojnë të gjithëve, pa përjashtim. E këto të drejta nuk do mund të na mohohën më as ne si popull vëndas. E riemërimi i çerdhes së Tuzit “Nënë Tereza” është vetëm fillimi i përfaqësimit dhe riemërimit adekvat institucional si fillim i zbatimit të kushtetutës!