Si e humbën shqiptarët Tivarin?


Sot në Tivar nuk mund të gjesh pothuajse asgjë shqiptare, me përjashtim të ndonjë toponimi si gjurmë dhe dëshmi e së kaluarës. Kemi vetëm dy institucione fetare (katolike dhe myslimane) që drejtohen nga shqiptarët, por ku mungon fjala e shkruar shqipe (shkrimi shqip), ashtu siç mungon të paktën një pllakë përkujtimore te Monopoli i Tivarit, ku është kryer krimi ndaj viktimave të Masakrës së Tivarit. Ata pak shqiptarë që sot jetojnë në Tivar, të lënë në mëshirën e fatit, janë në krizë të identitetit.

Shkruan: Ismet Kallaba

Tivari paraqet një qytet me rëndësi historike për shqiptarët. Ky qytet, dikur shqiptar, ishte pjesë e hapësirës iliro-arbëroro-shqiptare që shtrihej përgjatë Adriatikut.
Pothuajse në të gjitha tekstet e historisë, Ulqini dhe Tivari na shfaqen si dy qytete që ndanin fatin e njëri-tjetrit, ashtu si Hoti dhe Gruda apo Plava dhe Gucia. Lufta për mbrojtjen e Tivarit (1877-1878) paraqet një ndër shembujt e heroizmit të pashoq të popullatës vendase dhe ushtrisë turke, por edhe për mizoritë e kryera nga ushtria malazeze. Megjithëse të rrethuar, ata e mbrojtën Kalanë e Tivarit për dy muaj. Kjo luftë, para 145 viteve, për nga taktika luftarake, të ngjanë me luftën e sotme ruso-ukrainase, ku rusët, ashtu si malazezët dikur, përdorin të gjitha format, jo vetëm ato ushtarake, për të arritur qëllimin, duke e lënë popullsinë e qyteteve të rrethuara pa ushqim, ujë, rrymë etj.
Në këtë qytet është edhe selia e Argjipeshkvisë së Tivarit (1089), gjë që tregon për rëndësinë që ai ka pasur edhe në organizimin kishtar të Kishës Katolike.
Në historinë më të re, Tivari njihet si qyteti ku u krye një prej masakrave më të mëdha ndaj shqiptarëve në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Kështu që sa herë që përmendim Tivarin, mendja të shkon te Masakra e Tivarit, ku mijëra shqiptarë të Kosovës u vranë pabesisht vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare. Në këtë mënyrë, Tivari u bë një varr i madh për shqiptarët.
Politika shtetërore diskriminuese jugosllave dhe malazeze ndaj shqiptarëve ka bërë që ata të asimiloheshin dhe që numri i tyre në këtë qytet të zvogëlohet vazhdimisht, ashtu si dhe në trevat tjera shqiptare në Malin e Zi të sotëm. Të dhënat statistikore flasin për tkurrjen e vazhdueshme të numrit të shqiptarëve në pjesën urbane të qytetit dhe në Komunën e Tivarit në përgjithësi. Përballë kësaj politike diskriminuese, shqiptarët nuk u përgjigjen me ndonjë politikë apo formë të organizuar për mbrojtjen e identitetit kombetar.
Vitet ’90 të shekullit të kaluar ishin vite shprese dhe të zgjimit kombëtar për shqiptarët në Malin e Zi, përfshirë ata në Tivar. Megjithatë lufta vëllavrasëse në ish-Jugosllavi, si pasojë e nacional-shovinizmit serbo-malazez, zbehu shpresat për ndonjë ndryshim rrënjësor të pozitës së shqiptarëve në këtë qytet. Për shkaqe dhe arsye të ndryshme (politike, arsimore, kulturore, social-ekonomike etj.) shqiptarët do të vijojnë të largohen nga Tivari. Ndërkohë që politika shqiptare, e personifikuar në fillim nga Lidhja Demokratike në Malin e Zi si subjekti i vetëm politik shqiptar në Malin e Zi (më vonë këtë politikë do ta ndjekin edhe partitë tjera shqiptare) do të bëjë gabimin historik duke mos e vendosur zyrën e kësaj partie/dege në Tivar, përkundrejt të gjitha rreziqeve dhe pasojave të kohës, por në Ostros (Krajë). Në këtë mënyrë do t’i kontribuojë vetëgetoizimit të shqiptarëve dhe lëshimit të hapësirës së tyre natyrore dhe historike.
Kjo politikë e pamenduar dhe jo e mençur më ngjason shumë me atë të partive shqiptare në Maqedoni, të cilat u larguan nga Shkupi, dikur qyteti më i madh shqiptar për t’i vendosur selitë e tyre në Tetovë, duke e promovuar këtë qytet e jo Shkupin historik si qendër të re të shqiptarëve në Maqedoni. Një gabim historik që shqiptarëve në Tivar (Malin e Zi) dhe atyre në Maqedoni do t’u kushtojë shumë në të ardhmen.
Sot në Tivar nuk mund të gjesh pothuajse asgjë shqiptare, me përjashtim të ndonjë toponimi si gjurmë dhe dëshmi e së kaluarës. Kemi vetëm dy institucione fetare (katolike dhe myslimane) që drejtohen nga shqiptarët, por ku mungon fjala e shkruar shqipe (shkrimi shqip), ashtu siç mungon të paktën një pllakë përkujtimore te Monopoli i Tivarit, ku është kryer krimi ndaj viktimave të Masakrës së Tivarit. Ata pak shqiptarë që sot jetojnë në Tivar, të lënë në mëshirën e fatit, janë në krizë të identitetit.
Zgjedhjet e fundit lokale në Komunën e Tivarit vulosën situatën reale me shqiptarët në Tivar. Nëse në zgjedhjet e para lokale, shqiptarët (LD në MZ) arritën të fitonin katër këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Tivarit, në zgjedhjet e fundit (23 tetor 2022) për herë të dytë në pluralizëm, ashtu si dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2018, partitë shqiptare nuk arritën të sigurojnë asnjë mandat këshilltari (me përjashtim të Alternativës Shqiptare, e cila mori pjesë në zgjedhje në koalicion me Lëvizjen Qytetare URA, partitë tjera shqiptare nuk garuan në këto zgjedhje). Në këtë mënyrë vijon erozioni i shqiptarëve dhe i politikës shqiptare në Tivar.
Megjithatë, regjistrimi i popullsisë që është dashur të mbahet vitin e kaluar (regjistrimi i fundit është mbajtur në vitin 2011. Sipas tij, në Komunën e Tivarit jetojnë 2515 shqiptarë apo 5.98% e popullsisë së përgjithshme) do të tregojë gjendjen reale të shqiptarëve në këtë qytet. Pavarësisht kësaj, mund të thuhet se shqiptarët e humbën në njëfarë mënyre vetë Tivarin pasi që u larguan nga ai duke ua lënë të tjerëve. Tashmë për Tivarin mund të flasim vetëm si një qytet që dikur ishte shqiptar.