Më 12 dhjetor, Parlamenti i Malit të Zi, pavarësisht rekomandimeve të Komisionit të Venecias, miratoi Ligjin e ndryshuar për Presidentin. Me miratimin e këtij Ligji, shumica aktuale parlamentare do të marrë një pjesë të kompetencave së presidentit në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Pas miratimit të Ligjit ka pasur incidente mes një grupi protestuesish dhe Policisë malazeze, të cilët qëndronin para ndërtesës së Kuvendit.
Qytetarët që kundërshtojnë miratimin e Ligjit, që nga orët e mëngjesit kanë protestuar para Kuvendit, ku një grup i të rinjve hodhën objekte te forta, si me gurë dhe mjete piroteknike, në drejtim të Policisë. Më pas, forcat policore hodhën gaz lotsjellës në drejtim të tyre.
Si rrjedhojë, rrethojat e Kuvendit të Malit të Zi janë thyer pjesërisht, si dhe xhami i derës hyrëse në objekt.
Predrag Vusurovic, nga lëvizja ” Aty jemi ne” [“Ima nas], e cila organizoi protestën, tha se miratimi i këtij Ligji konfirmon tradhtinë dhe paralajmëroi “bllokimin e të gjitha qyteteve malazeze në ditët në vijim”.
Kjo është protesta e katërt kësaj lëvizje, por ato paraprake ishin të qeta.
Pse Ligji për Presidentin është i diskutueshëm?
Qëllimi i ndryshimeve të propozuara nga Fronti Demokratik pro-rus është që kandidati i tyre, Miodrag Lekic, të zgjidhet kandidat për kryeministër i Qeverisë së re malazeze.
Këto ndryshime ia heqin një pjesë të kompetencave presidentit Milo Dukanovic.
Opozita, e udhëhequr nga partia e Dukanovic-it, kërkon shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por shumica parlamentare, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, po kërkon që të formohet një Qeveri e re që do të udhëhiqej nga Lekic.
Kuvendi miratoi Ligjin e ndryshuar më 2 nëntor, por Dukanovic refuzoi ta nënshkruante atë. Sipas Kushtetutës, presidenti është i detyruar ta shpallë ligjin, pasi të jetë miratuar për herë të dytë në Kuvend.
Të hënën u miratua për herë të dytë ky Ligj, dhe nëse Dukanovic nuk e nënshkruan atë, kryetari i Kuvendit mund ta pubikojë Ligjin në Gazetën Zyrtare, i cili hyn më pas në fuqi.
