Kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, njëheri edhe kandidati për deputet nga radhet e Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, deklaroi se Forumi shqiptar, është brend i kohës sonë.
Camaj, theksoi se kësaj radhe në Parlamentin e Malit të Zi, e jo vetëm aty, do të dëgjohet zëri ynë, ashtu siç e meritojnë shqiptarët e këtushëm, të cilët sipas tij gjithëherë e kanë vlerësuar dhe matë fjalën e thënë në kuvende.
Lexoni postimin e plotë:
Forumi shqiptar, brend i kohës sonë
Para dy ditësh Forumi Shqiptar dorëzoi listën për zgjedhjet e 11 qershorit. Është kjo lista më gjithëpërfshise ndër shqiptarët në Malin e Zi. Është lista që paraqet shqiptarët ashtu siç janë, të bashkuar e pa asfarë ngarkesash, që nga bregu i Bunës e deri në Dacaj të Rozhajës. Kjo, dhe jo vetëm kjo, Forumin Shqiptar e bën brend të kohës sonë. Brend e bën edhe mënyra e organizimit, por edhe fitoret që ka rreshtuar, projektet që ka realizuar si dhe sllogani më i ri, që lidhet me traditën, përmes Besës, dhe me të ardhmën, me zhvillimet europiane, me çka nënkuptojmë arritjen e standardeve ne zhvillim e ekonomi, por edhe në avancimin e çështjeve kombëtare.
Por, Forumi nuk është më vetëm brend malësor, ku e ka zanafillen. Ai sot është bërë brend i shqiptarëve në Malin e Zi, e si i tillë njihet në krejt gjeografinë shqiptare, kudo që dihet e flitet për shqiptarët në Malin e Zi.
E drejtuar nga një kryetar i sukseshëm komune, ndjekur nga ne të tjerët, kryetarë partishë, ministra, kryetarë kuvendesh, nënkryetarë komunash e aktivistë, njerëz të përvojës e të dëshmuar për çështjen kombëtare, Lista premton fitore të bindshme ndaj çdo pretendenti tjetër të votës shqiptare.
Me këtë, Forumi edhe nga këto zgjedhje, definitivisht, do të dalë si i vetëm përfaqësues autentik dhe i pakompromis për të drejtat e shqiptarëve dhe për zhvillimin e viseve shqiptare, padrejtësisht të lëna pas dore me dekada të tëra.
Edhe pse votën tuaj e kisha edhe në mandatin e kaluar, por për sjelljet hileqare, prezente në politiken shqiptare, nuk mu dha rasti t’ju përfaqësoj siç e meritoni, ju siguroj se kësaj radhe në Parlamentin e Malit të Zi, e jo vetëm aty, do të dëgjohet zëri juaj, ashtu siç e meritojnë shqiptarët e këtushëm, të cilët gjithëherë e kanë vlerësuar dhe matë fjalën e thënë në kuvende.
Besa, besë, pa kompromise, për një përfaqësim dinjitoz, për integrim me identitet, për zhvillim… për të mirën e gjeneratave që vijnë, Forumi Shqiptar!