Duke lexuar tekstin e betimit para deputetëve të Parlamentit të Malit të Zi, ministrave, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe liderëve të vendeve të rajonit, Jakov Millatoviq zyrtarisht mori detyrën e presidentit të Malit të Zi.
“Betohem se do të kryej detyrën e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe paanshmëri. Sipas Kushtetutës dhe ligjit”, tha Millatoviq në sallën plenare të Parlamentit të Malit të Zi, gjë që shënoi fillimin e mandatit të tij pesëvjeçar presidencial.
Në fjalimin e tij inaugurues, Millatoviq tha se ishte i nderuar dhe krenar që mori detyrën e presidentit duke bërë betimin:
“Do të jem një president i vërtetë i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, politike apo fetare”.
Momenti aktual ka karakter historik, tha presidenti i ri malazez, duke u shprehur se ndryshimi i strukturës politike dhe konsolidimi i demokracisë ngjall shpresë, se në një mjedis më të lirë do të zgjidhen çështjet e hapura të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi.
Millatoviq tha gjithashtu se nuk do të devijojë nga drejtimi dhe angazhimet që nënkuptojnë Malin e Zi si pjesë të BE-së dhe se ai do të angazhohet për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe barazi të të gjithë qytetarëve.
Në mesin e të ftuarve ishin edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.