Elektorati shqiptar ka peshë kur i voton subjektet shqiptare

Deri te mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi kanë mbetur vetëm edhe disa orë, ndërsa fushata parazgjedhore e cila u cilësua si një fushatë e qetë jo-tradicionale, i dha mesazhet përmbyllëse. Në këtë realitet ndryshe, nëse kjo fushatë krahasohet me fushatat parazgjedhore të kaluara parlamentare, por edhe presidenciale e lokale, atëherë vërehet qartë ndryshimi i narrativës së fushatës politike tradicionale.

Fushata u zhvillua e qetë dhe pa tensione politike. Përveç asaj, kjo fushatë dalloi edhe nga mënyra dhe forma e qasjes së partive politike me votuesin; më shumë kontakte të afërta, tubime të vogla dhe ambiente të mbyllura, por edhe rritje e ndjeshme e fushatës përmes rrjeteve sociale.
Në anën tjetër, ishin temat ekonomike e sociale të cilat ishin më të pranishme sesa në të kaluarën, ndërsa më shumë se gjysma e kandidatëve në listat zgjedhore janë njerëz të ri, të pa njohur në jetën politike.

Por çka pritet nga këto zgjedhje parlamentare?
Një rikonstruktim i skenës politike në Mal të Zi është siç duket i pashmangshëm.
Rrëzimi i pushtetit 30-vjeçar të DPS-së së Millo Gjukanoviqit në vitin 2020 shënoi një fillim i cili solli ndryshime por jo pushtet të qëndrueshëm. Rikonstruktimi i mirëfilltë dhe pushteti eventual i qëndrueshëm i dalur nga këto zgjedhje, do të nënkuptonte pushtet pa DPS-në dhe subjektet që përbënin Frontin Demokratik.
Si vazhdim i asaj që filloi në vitin 2020, këto zgjedhje pritet të rikonfirmojnë rënien e mëtejshme të DPS-së por edhe rënie të subjekteve politike të cilat përbënin Frontin Demokratik, subjekt ky i cili në zgjedhjet e 2020 ishte forca e dytë pas DPS-së.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit marrin pjesë pesëmbëdhjetë lista, dy nga të cilat janë të partive shqiptare.
Shqiptarët edhe në këto zgjedhje pritet të fitojnë dy mandate, aq sa kishin fituar në zgjedhjet e kaluara.
Moskrijimi i një liste të vetme shqiptare, por edhe votat që shkojnë për partitë që konsiderohen qytetare, janë pengesë që shqiptarët me vite nuk arrijnë të marrin më shumë se dy mandate dhe në këtë mënyrë vet-ndëshkohen duke mos arritur të bëhen faktor më i madh politik.

Vota e elektoratit shqiptar, si popull autokton dhe pakicë në Mal të Zi, realisht nuk ka peshë aq relevante për të krijuar diferencë kur është fjala për zgjedhjet e përgjithshme në nivelin shtetëror, sidomos nëse ato vota shpërndahen në subjektet politike qytetare. Duke theksuar se fjala është për elektoratin shqiptar si shoqëri, vota mund të ketë peshë vetëm atëherë kur ajo u shkon subjekteve politike shqiptare.
Ndërkaq, subjekti politik shqiptar përveç asaj që çka përfaqëson, për të qenë faktor duhet të ketë forcë politike, e forca politike peshohet dhe vjen nga mbështetja që subjekti politik ka nga elektorati. Sa më e madhe forca politike, aq më shumë përgjegjësi dhe pushtet i takon në realizimin e synimeve politike, si dhe mbrojtjen e interesave të votuesit.

Në shoqërinë dhe realitetin politik në të cilin jetojmë, është e padiskutueshme dhe e dëshmuar se ruajtja dhe zhvillimi i interesave kombëtare, kulturorë, identitarë dhe gjuhësorë nuk realizohen përmes partive qytetare, dhe jo veç, por as zhvillimet ekonomike e sociale.


Robert Gj. Ivezaj
malesia.org