Ish-kryeredaktori i Kallnori.org, Albert Bikaj, ka njoftuar se ky portal u mbyll pas gjashtë vite punë.
Kallnori ishte portal i cili u mori me publikime interesante dhe me vlerë, rreth artit, kulturës, letërsisë, albanologjisë dhe historisë.
Lexo postimin e plotë:
Këtë muaj portali Kallnori shënon gjashtë vjetorin e themelimit; po kaq vite në krye të saj si redaktor. Ideja për themelimin e portalit [Mark Pashku – Lucgjonaj dhe mua] ishte spontane, me qëllim modest dhe dëshirë të madhe prej studenti për të promovuar artin dhe kulturën në skaj të shqiptarisë – në trojet tona në Mal të Zi. Prandaj, simbolikisht përzgjodhëm trajtën gegnishte – “Kallnori”. (Për dizajnin e portalit, si dhe çdo gjë teknike na ndihmoi vullnetarisht Anton Nikprelaj – të cilin e falënderoj shumë!)
Brenda pak kohësh numri i lexuesëve dominues anonte kah Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe natyrisht diaspora. Me rritjen e lexuesëve u rrit edhe numri i autorëve, të cilët po ashtu i kaluan “kufijtë” e pritshmërive tona – për këtë i falënderoj që të gjithë! Faqja në facebook numëronte përplot 20.000 ndjekës!
Ky ishte motivin shtesë për të punuar më shumë, ndonëse, duhet ta theksoj se i gjithë përkushtimi për portalin në fjale ishte vullnetar, pa ndonjë interes ekonomik. Mirëmbajtja e një portali për një audiencë të konsiderueshme nuk qe e lehtë, ndoshta as adekuate, sidomos kur vepron kryesisht vetëm dhe kohën e lirë ke te kufizuar, por pavarësisht vështirësive ka qenë kënaqësi e madhe të kontribuoja modestisht. Publikimet e artikujve ishin jo të shumta, pasi motto-ja jonë ishte pak a shumë si ajo shprehja klishe: kualitet, jo kuantitet.
Për shkak të rritjes së angazhimeve dhe mungesës së kohës së lirë puna ime në krye të portalit, mbase edhe e vetë portalit (pasi për momentin është offline), mbaroi. Ishte përvojë tejet e veçantë; se sa ka vlejtur portali? Le ta vlerësojnë lexuesit – ata janë vlerësuesit më të mirë.
Prandaj, shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë ata që na mbështetën, këshilluan, kritikuan, [madje edhe ata që na “huazonin” artikujt pa cituar. Ua falim. 😇 ]. E në mënyrë të veçantë falënderoj lexuesit!
Gjithë të mirat!
Albert Bikaj
Ish-kryeredaktor i Kallnorit