Partitë e pakicave së shpejti do të vendosin nëse ish Fronti Demokratik mund të jetë partner


Partitë e pakicave ditëve të ardhshme do të mbajnë konsultime mbi atë nëse për ta është e pranueshme që në Qeverinë e re të jenë së bashku me koalicionin “Për të ardhmen e Malit të Zi”, ka thënë kandidati për deputetët i Aleancës shqiptare Fatmir Gjeka.

“Për këtë do të kemi konsultime me partitë e tjera në ditët në vijim. Për ne është e rëndësishme që të gjithë anëtarët e koalicionit qeverisës  të vendosin qartë për rrugën euroatlantike të Malit të Zi”, theksoi ai.

Ky qëndrim mund të jetë pengesë në negociatat e ardhshme për pushtet, duke pasur parasysh se partitë e pakicave dhe koalicioni i drejtuar nga Knezheviq dhe Mandiq kanë pikëpamje krejtësisht të kundërta për disa çështje kyçe të politikës së jashtme, si anëtarësimi në NATO apo njohja e Kosovës.

Koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi” përbëhët nga partitë e ish Frontit Demokratik, parti serbe pro-ruse të cilat kanë qendrime anti-NATO, kundershtojnë pavaresinë e Kosovës por e kishin kundershtuar edhe pavarësimin e Malit të Zi nga Serbia.

/MALESIA.ORG/