Camaj: Besoj në formimin e Qeverisë pa kushtëzime

I pyetur nga Radiotelevizioni i Malit të Zi, se a ka gjasa të formohet qeveria deri në shtator dhe se a mund të ketë përkrahjen e 49 deputetëve, deputeti i Forumit Shqiptar, nga radhet e Lidhjes Demokratike Shqiptare, njëheri edhe kryetari i nderit të kësaj partie, Nikollë Camaj deklaroi se beson në formimin e Qeverisë së Malit të Zi, pa kushtëzime.

“Përvoja na tregon se ne jemi të prirë që t’i zgjasim gjërat dhe t’i zgjidhim ato në momentin e fundit. Nuk do të doja të ndodhte kështu kësaj radhe, kur po zhvillohen negociatat për formimin e qeverisë, sepse koha nuk është në favor të atyre që e kanë topin në fushën e vetë”, deklaroi Camaj.

Camaj, nder te tjerat theksoi se edhe LET është e vetëdijshëm për këtë, prandaj nuk beson se do të lejojnë që fakotri kohë të punojë për ata që u konvenon një situatë e këtillë e pushtetin aktual, apo ndoshta edhe zgjedhjet tjera.

“Edhe pse dihet se diferencat në rezultate do të ishin përafërsisht të njëjta, jam i sigurt se ka forca që e dëshirojnë një skenar të tillë. Të vetëdijshëm për këto fenomene, besoj se forcat politike, të cilat tashmë kanë zhvilluar një sërë bisedimesh joformale dhe një raunde takimesh formale, do të gjejnë forcë dhe urti që të arrihet një marrëveshje me kohë, për formimin e qeverisë, pa kushtezime dhe pritshmëri të tepruara. Sepse në fund të fundit, që të gjithë negociatorët betohen se parimet janë të më rëndësishmet për ta. E nëse është kështu, atëherë marrëveshje është e lehtë për t’u arritur. Prandaj besoj se është më e lehtë të arrihet marrëveshja tashmë vetem se e paralajmeruar, ndërmjet demokratëve, Evropa tani dhe të pakicave. Gjithsesi do të prisja që aty të ishte edhe SNP-ja”, deklaroi Camaj.

Sa i përket subjektit politik të cilit ai i përket, Camaj thekson se janë të pranueshme edhe strukturat e tjera, nëse për to janë të pranueshme parimet e ofruara nga LET, pas disa korrigjimeve të bëra pas raundit të parë të bisedimeve. Siç lexojmë, tha ai, parimet nuk diskutohen as për ato “strukturat e tjera”, por po ndarja e ëmbëlsirës, theksoi Camaj.

Sipas Camaj, vijat e kuqe të vendosura për DPS-në dhe URA, e siç duket edhe për Koalicionin për të ardhmen e Malit të Zi, kryesisht për shkak të ambicjeve të tyre, e veshtirësojnë mundësinë për të arritur deri te 49 deputetë, megjithatë, ai beson se formimi i Qeverisë së re, edhe me mbështetjen e 41 ose 43 deputetëve, hap hapësira të reja, për negociata edhe me të tjerët.

“Meqenëse në fazen e “vijave të kuqe”, ndaj DPS-së dhe URA, shfaqen kushtëzimet, e nganjeherë edhe ambicje shumë të mëdha të partnerve të mundshëm, prandaj vêshtirë mund të arrihet numri 49 i përkrahësve, por jam më se i bindur se me formimin e Qeverisë shumë çka do të ndryshojnë edhe në mardhenjet mes atyre që tani nuk munden, ose nuk dëshirojnë të jenë bashkë. Meqenëse koha nuk punon për mazhorancën potenciale, besoj se do të punohet shpejt për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që Qeveria të formohet gjatë gushtit, qoftë edhe me mbështetjen e 41 deputetëve”, deklaroi Camaj.
Malesia.org