Iniciativa Kroate nuk pranon të jetë në Qeveri nëse aty do të jetë edhe koalicioni pro-serb


Iniciativa Qytetare Kroate nuk do të pranojë të jetë pjesë e Qeverisë së re të Malit të Zi, nëse koalicioni pro-serb e pro-rus “Për të ardhmen e Malit të Zi” do të jetë pjesë e sajë.

Këtë e ka deklaruar kryetari i partisë kroate, Adrijan Vuksanoviq. Ai, ndërkaq e përkrahë liderin e Lëvizjes “Evropa Tani” Millojko Spajiq për mandatar të qeverisë së re.

Në muajin qershor, para se filluan bisedimet për formimin e qeverisë, bartësi i listës së Forumit shqiptar, Nik Gjeloshaj, kishte deklaruar se Forumi shqiptar dhe Iniciativa qytetare kroate janë dakorduar për veprim të përbashkët në procesin e formimit të qeverisë së re.

Dy koalicionet shqiptare, Forumi shqiptar dhe Aleanca shqiptare ende nuk janë deklaruar nëse pranojnë të jenë në qeveri me koalicionin pro-serb “Për të ardhmen e Malit të Zi”.

Partitë të cilat përbëjnë koalicionin “Për ardhmërinë e Malit të Zi” janë të njohura për qëndrime nacionaliste pro-serbe dhe pro-ruse, kundër pavarësisë së Kosovës, anti-NATO dhe politikave perëndimore.

/MALESAI.ORG/