Kryetari i komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj dhe deputeti i LDSH-së, Nikollë Camaj, përkujtojnë 9 shtatorin, ditën e burgosjes së malësorëve në aksionin famkeq policor “Fluturimi i Shqiponjës”.
Lidhur me këtë Gjeloshaj ftoi Këshillin nacional për siguri që të hapë këtë dosje që e verteta të dal në dritë.
Ndërsa deputeti Camaj theksoi se nga pozita e deputetit shpreson se do të hapen mundesi të reja, për të zbërthyer këtë enigëm që na e kurdisen dashakëqinjtë.
Lexoni postimin e plotë të Gjeloshaj dhe Camaj:
Gjeloshaj:
Kurrë Malësia nuk do ta harrojë torturën që është bërë më 9/9/2006!
Kurrë nuk do të harrojmë vendimin antishqiptar për gjykimin e bashkëvendasve tanë me burg, pa asnjë argument!
Kurrë Shqiptaret nuk do ta harrojnë këtë proces të montuar politik nga shteti i Malit të Zi!
Ftoj Këshillin nacional për siguri që të hapë këtë dosje, dhe që e verteta të dali në dritë.
Ështe koha që të procesohen ata që montuan këtë proces!
Është koha që në emer të shtetit të kërkohet falje për këtë proces të montuar, për ata që kishin vetëm një “faj”, se ishin shqiptar!
Do të vijë dita për drejtësi!
Camaj: Nga 9 shtatori 2006 e tutje, vite të tëra, ishin kohë sprove e dëshmie të një kurdisje të paftyrë kundër Malësisë. Na mbetet të bëjmë çmosin që ta zbulojmë kush rrinte pas këtij procesi të montuar politik. Asnjëherë nuk e kurrseva veten në këtë drejtim; dhjetëra shkrime, dhjetëra tryeza e konferenca, qindra orë prezent në seanca gjyqësore, por tani, nga pozita e deputetit shpresoj se do të hapen mundesi të reja, për të zbërthyer këtë enigëm që na e kurdisen dashakëqinjtë!
E drejta vonon, por nuk harron!
Malesia.org