Iniciativë e Dr. Safedin Beqaj, drejtuar Komunës së Tuzit, për formimin e njësisë së zjarrëfiksave.
Kryetarit të Komunës së Tuzit, z.Nik Gjeloshaj
Kryetarit të Kuvendit të Komunës së Tuzit, z. Fadil Kajoshaj
Te gjith Keshiltarët e Komunës së Tuzit
Të nderuar,
Komuna e Tuzit prej marrjes së statusit të Komunës së plotë ka pasur progres në funksionimin e saj në mjaft fusha, mirëpo prioritetet për përmirësimin e kushteve dhe standardeve të jetës së banorëve duhet gjithmonë të jetë në fokusin e pushtetit.
Ajo që dua të veçoj si qytetarë i Malësisë, edhe pse jetoj dhe punoj në SHBA, më brengos fakti se në Malësi po ballafaqohemi me disa çështje jetësore tejet shqetësuese, siç është problemi i rrymës elektrikte dhe mungesa e njësisë së zjarrëfiksave në Komunën e Tuzit.
Këtë iniciativë publike po e ndërmarr në bazë të rastit tim familjarë, ku para disa javësh pas ndërprerjeve të shpeshta të rrymës, në momentin e kyçjes së rrymës ajo erdhi me fuqi të lartë dhe shkaktoi zjarrë në kulmin e shtëpisë së vëllait tim. Ekipi i elektrodistribucionit ka mbërritur menjëherë, kurse zjarrëfiksat vonuan 45 minuta dhe erdhën pasiqë shtëpia ishte bërë hir (shkrum).
Fatmirësisht kjo ngjarje nuk kishte viktima njerëzore(siç ishte rasti në Tuz para disa vitesh), kurse te shtëpia i kemi pastruar mbetjet e shkrumbosura dhe do ta fillojmë re-ndërtimin nga fillimi.
Ne si familje ishim të befasuar për vonesën e zjarrëfiksëve, por pastaj u infromuam se Komuna e Tuzit nuk ka njësi të zjarrëfiksave, e madje as një automjet të zjarrëfiksave për raste urgjente. Poashtu u informuam se zjarrëfiksat duhet të presim kur të vijnë nga Podgorica, dhe kur të ketë ndonjë ekip të lirë. Në rastin tonë ata vonuan 45 minuta dhe mbërritën kur ishte tejet vonë, pasi që banorët e lagjes arritën ta lokalizojnë zjarrin për të mos u hapur më gjatë në shtëpitë tjera.
Nga ky rast mësuam shumë. Në Malësi, së paku në zonën e vendbanimit Milesh, kemi një rrymë shumë të dobët e cila kërrkon ndërhyrje urgjente, kurse problem akut për tërë Malësinë është mungesa e njësisë së zjarrëfiksëve.
Komuna e Tuzit ka një sipërfaqe të gjerë dhe përnga kushtet klimatike gjatë sezonit të verës ajo pëson thatësira të mëdhaja dhe rrezikshmëria nga zjarri është e nivelit të lartë. Prandaj, apeloj që sa më parë të jetë e mundur, të themeloni njësinë e zjarrëfiksave për teritorin e Komunës së Tuzit, e cila do të ketë njerëz dhe paisje të specializuara për intervenime urgjente.
Meqënse jetoj në SHBA, bashkë me bashkatdhetarët tjerë nga Malësia, si çdoherë, do të tregojmë gatishmërinë që të ju ndihmojmë në këtë drejtim.
Ju ftoj publikisht që këtë lëshim ta përmirësoni sa më parë dhe urgjentisht të sjellni vendimin së pari për të siguruar një vend për një automjet të zjarrëfiksave për intervenime të shpejta dhe pastaj menjëherë sipas rregullave ligjore të formoni njësinë speciale të zjarrëfiksave për Komunën e Tuzit.
Shpresoj që këtë iniciativë do ta shqyrtoni me seriozitet të plotë.
Me respekt,
Dr. Safedin Beqaj