Ivanaj: Logoja e Monstat-it, për regjistrimit e popullsisë, është diskriminuese për shqiptarët

Kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, njëheri edhe nënkryetari i komunës së Tuzit, Ivan Ivanaj, deklaroi se Logo e Monstat për regjistrimit e popullsisë është diskriminues për shqiptarë.

Ai ftojë MONSTAT-in që si për fillim ta përmirësojë logon e regjistrimit të popullsisë i cili është diskriminues për shqiptarët, e me anë të së cilit përçohet mesazhi se këtu ska shqiptarë, se numri i shqiptarëve është në nivel të gabimit statistikor!
Lexoni postimin e plotë të Ivanaj:

Të nderuar qytetarë,

regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi do të organizohet nga 1 deri më 15 nëntor të këtij viti. Zakonisht, në shoqëri dhe shtete të zhvilluara e demokratike, regjistrimi i popullsisë është thjesht një mekanizëm statistikor përmes të cilit shteti mbledh të dhëna të ndryshme mbi popullsinë siç janë: përkatësia kombëtare, përkatësia fetare, gjuha, gjendja ekonomike, shkalla e arsimimit, etj. Por, në Mal të Zi tashmë jemi mësuar që çdo gjë politizohet, e kështu pritet që edhe regjistrimi i nëntorit do të kthehet në “luftë”, në të cilën fitues do të dalë ai që krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, do ta rrisë përqindjen që rrin pas linjes që i konvenon.
Se fushata politike për ndikim në regjistrimin e nëntorit ka filluar e dëshmojnë edhe format e ndryshme të marketingut përmes të cilave qytetarëve u sygjerohet se si duhet të deklarohen!
Ajo që bie në sy, dhe që në këtë fazë paralajmëron se regjistrimin e popullsisë do të tentojnë ta shfrytëzojnë që dikë të ngrisin e dikë të ulin nën përqindjen reale, është edhe logoja zyrtare e MONSTAT-it (Enti për Statistikë), e cila është vetëm në gjuhën malazeze, serbe, kroate e boshnjake, biles në latinicë dhe qirilicë, por jo edhe ne gjuhën shqipe, gjuhë e cila është në përdorim zyrtar në Mal të Zi, dhe të cilën sipas regjistrimit të vitit 2011 e flasin 32.671 shtetas të Malit të Zi. Gjithashtu, gjuha shqipe është e vetmja që me gjuhët e cekura më lart nuk ka asgjë të përbashkët. Prandaj, ftojmë MONSTAT-in që si për fillim ta përmirësojë logon e regjistrimit të popullsisë i cili është diskriminues për shqiptarët, e me anë të së cilit përçohet mesazhi se këtu ska shqiptarë, se numri i shqiptarëve është në nivel të gabimit statistikor!
Në qoftë së kështu futemi në procesin e regjistrimit, atëherë edhe rezultatet e tij do të jenë diskutabile.

Malesia.org