Një jetë kushtuar çështjes kombëtare

Xhemal Nikaj ishte sinonim i bashkëjetesës dhe i harmonisë mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Çdo përpjekje që të cenohet harmonia ndërfetare në Malësi, e luftoi. Motoja e tij ishte “Sofër malësore nuk ka aty ku nuk janë bashkë Xhemali e Gjeloshi”. Këtë moto e praktikoi edhe në jetën e tij të përditshme, në festa fetare dhe kombëtare, në ndeja dhe ahengje që ishin të shpeshta.

Shpesh, gjatë bisedave dhe debateve me mikun tim, tani të ndjerë, Xhemal Rrustë Nikajn, e kritikoja se pse nuk shkruan për jetën dhe veprimtarinë tënde? Pse nuk i përmbledh në një libër dëshmitë nga ngjarjet në të cilat ishe pjesëmarrës, shpesh aktor kryesor, si kujtime apo ndoshta libër autobiografik, pasi ti ke një jetë të pasur me veprimtari shoqërore? Ai, pak me ironi më përgjigjej duke më ngjeshur edhe ndonjë epitet! “Për mua duhet të shkruajnë të tjerët. Shkruaj ti!”
Dhe vërtet, ai nuk la diçka të grumbulluar në libër, edhe pse deklaratat e tij në medie janë të panumërta. Ai gjatë gjithë jetës së tij, prej rinisë së hershme, në Malësi ishte një ndër personazhet më relevantë të të gjitha ngjarjeve shoqërore.
Xhemal Nikaj u lind në Dinoshë para 77 vjetëve. Ishte fëmija i katërt, e djali i parë i Rrustë Alisë dhe Zep Ametes nga shtatë fëmijë sa kishin. Në familje i mësoi virtytet njerëzore, edukatën, bujarinë, fisnikërinë, por edhe dashurinë për kombin, duke dëgjuar tregime për të parët e tij, posaçërisht për axhë Rexhepin, i cili si i ri ishte pjesëmarrës në lëvizje të ndryshme të çerekut të parë të shekullit XX, e më vonë oficer në ushtrinë e mbretit Zog. Jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë nga familja e Haxh Ahmetit dhe vëllazëria Nikaj.
Pas përfundimit të shkollës fillore, u regjistrua në Normalen e Gjakovës, ku me sukses e përfundoi. Gjatë studimit atje, i frymëzuar me çështjen kombëtare, iu bashkua protestave të studentëve në vitin 1968 dhe frymën atdhetare e solli edhe në vendlindje. Në janar të vitit 1969, në një dasmë në vendlindjen e tij në Dinoshë shfaqi flamurin kuq e zi, për t’u arrestuar të nesërmen duke e regjistruar në librat e shërbimit sekret si armik i shtetit.
Xhemali karrierën e tij të punës e filloi mësues nëpër fshatrat malore të Malësisë. Në vitin 1978, me angazhimin e tij të palodhshëm arriti të hapë shkollën fillore 8-vjeçare në Dinoshë dhe pasi u emërua drejtor, e udhëhoqi me sukses gjatë 14 vjetëve të ardhshme.
Xhemal Nikaj u martua dhe jetoi në harmoni me bashkëshorten Vera Radinoviq, me të cilën patën katër vajza. Bashkëshortja e tij Vera ishte përkrahësja më e fuqishme në jetën e tij familjare dhe angazhimin e tij shoqëror. Humanizmi i saj erdhi në shprehje posaçërisht gjatë eksodit kosovar, për çka mund të dëshmojnë refugjatët që u strehuan në shtëpinë e tyre.
Edhe pse në sistemin monist i angazhuar politikisht, as edhe një herë nuk lëvizi nga linja kombëtare. Me fillimin e shkatërrimit të Jugosllavisë, Xhemal Nikaj me të parët u tërhoq nga Lidhja Komuniste e atëhershme dhe haptas e përkrahi formimin e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi e pastaj vazhdoi të përkrahë subjektet shqiptare deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ai ishte shumë aktiv në jetën publike, por kurrë nuk u angazhua në ndonjë subjekt politik. Ishte pjesëmarrës aktiv i çdo iniciative që u nis në Malësi: Besëlidhja, Heshtja e armëve, Kthimi i komunës, si dhe mori pjesë në çdo rast ku nevojitej, pajtimet në rastet e ngatërresave mes njerëzve dhe gjaqeve. Në vitin 1992 organizoi protestën e parë kundër pushtetit të Malit të Zi pas tentimit të qeverisë që të ndërtojë lagje banimi në fshatin Dinoshë e kështu të ndikojë në ndërrimin e strukturës demografike të popullsisë. Mobilizoi një numër të madh të banorëve të Dinoshës dhe Malësisë për të protestuar në Kuvendin e Malit të Zi. Falë angazhimit të tij, plani famëkeq i Qeverisë së atëhershme nuk u realizua.
Tentimi i dytë në Dhe të Zi, në fushën e Rrogathit, pjesë e Komunës së Tuzit, dhjetë vjet më vonë, përsëri Qeveria me qëllim të njëjtë, ndërtimi i një vendbanimi për punëtorët e një kompanie shtetërore, të cilët ishin në numër dërmues joshqiptarë, përsëri për ndërrimin e strukturës, falë angazhimit dhe organizimit të Xhemal Nikajt u ndal. Ai u angazhua pa kursyer kohë e mjete, që toka e cila dikur ishte në pronësi të banorëve të Malësisë e që me ligje të ndryshme të kohës kaloi në pronësi të shtetit, t’u kthehet.
Në fillim të viteve ‘90 të shekullit të shkuar ishte pjesë e Komisionit që përgatiti të gjitha dokumentacionet, përfshirë edhe Elaboratin që e arsyeton kthimin e statusit të komunës së Tuzit. Ky ishte dokumenti i parë serioz dhe angazhimi i parë konkret për këtë projekt jetik për territorin e Malësisë.
Në verë të vitit 1998, kur filloi agresioni serb në Kosovë e si rezultat i tij mijëra refugjatë nga Rrafshi i Dukagjinit ikën drejt Malit të Zi për të gjetur shpëtim, Xhemal Nikaj i pari u përgjigj në kushtrim dhe u vu në krye të Këshillit Emergjent, i cili strehoi me mijëra të zhvendosur kosovarë gjatë 12 muajve sa zgjati kalvari i refugjatëve. Ai përveçse u angazhua për t’iu gjetur strehim, ushqim, mjekim e arsimim, me shembull të pashoq i strehoi në shtëpinë e tij së bashku me familje me dhjetëra refugjatë, kishte raste deri në 50. Xhemali i pranoi në familje dhe me ta ndau kafshatën e gojës, shtratin e gjithçka që kishte për familjarët e vet. Për fat të keq, institucionet e Kosovës të pasluftës e deri më sot nuk i ishin mirënjohëse dhe nuk e vlerësuan angazhimin dhe sakrificën e tij, por ai asnjëherë nuk pushoi së mbështeturi çështjen e Kosovës.
Çdo nismë që për qëllim kishte avancimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, e përqafonte dhe nuk kursehej të vepronte në realizimin e saj. Me pjesëmarrje në tribuna qytetare, emisione televizive dhe deklarata në medie me të gjitha kapacitetet e tij dhe ndikimin që kishte në komunitet, u angazhua në kthimin e komunës së plotë të Tuzit.
Xhemal Nikaj ishte sinonim i bashkëjetesës dhe i harmonisë mes shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Çdo përpjekje që të cenohet harmonia ndërfetare në Malësi e luftoi. Motoja e tij ishte “Sofër malësore nuk ka aty ku nuk janë bashkë Xhemali e Gjeloshi”. Këtë moto e praktikoi edhe në jetën e tij të përditshme, në festa fetare dhe kombëtare, në ndeja dhe ahengje që ishin të shpeshta. Ishte i drejtpërdrejtë në biseda që i preferonte shumë gjatë ndejave në raste të ndryshme dhe në takime të shumta. Kishte vetëbesim dhe nuk lëkundej as para “mbretit”. Nuk ngurronte të hapë tema, çfarëdo qofshin ato. Ishte karizmatik në karakter, elegant në veshje dhe dukje, i qeshur dhe i dashur për miq. Kështu e njoha unë Xhemal Nikajn.

Musa Gjoka