Forumi Shqiptar, në takimin që u mbajt sonte, ka vendosur që të mbështesë parimet programore të mandatarit Millojko Spajiq, për formimin e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, në ç’mënyrë edhe e ka pranuar pjesëmarrjen në të.
Më herët edhe koalicioni tjetër shqiptar, Aleanca Shqiptare ka deklaruar se do të përkrahë Qeverinë e Millojko Spajiqit.
Lexo kumtesën e Forumit Shqiptar:
Si subjekti politik më i madh i Shqiptarëve në Mal të Zi, Forumi Shqiptar në këtë mënyrë synon ta vërtetojë përkushtimin programor të të gjithë subjekteve që e përbëjnë, se Shqiptarët në Mal të Zi të jenë partner i vërtetë i të gjithë forcave demokratike pro-perëndimore në Mal të Zi në rrugën e tij evropiane dhe evroatlantike.Marrja e vendimit të këtillë është lehtësuar me frymën demokratike pro-perëndimore të vetë parimeve programore të mandatarit Spajiq, veçanërisht atyre që flasin për vendosmërinë për të qëndruar në rrugën drejt hyrjes në BE, me gatishmëri për harmonizimin e plotë të politikës së jashtme të Malit të Zi me politikat e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke përfshirë edhe sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, si dhe që Mali i Zi të jetë vend anëtar i besueshëm i Aleancës NATO dhe që të vazhdojë bashkëpunimin miqësor me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Republikën e Kosovës.
E bëjmë këtë siç theksojnë edhe për shkak të qëllimit të tyre që me pjesëmarrje në Qeveri të kontribuojnë avancimit të statusit dhe pozitës së Shqiptarëve në Mal të Zi, e në themele të standardeve demokratike të BE-së që i referohen çështjes së të drejtave të pakicave kombëtare.
Në këtë drejtim, Forumi Shqiptar do të ofrojë një dokument konkret, që mbi parime të aksionit afirmativ, do të mundësojë pjesëmarrjen e barabartë të Shqiptarëve në procese shoqërore, me theks të veçantë tek përfaqësimi proporcional i tyre në institucione të shtetit dhe shërbime publike të Malit të Zi, si dhe tek decentralizimi i pushtetit, ky që nënkupton më shumë autonomi për vetëqeverisjet lokale. Për të arritur të gjitha të sipërpërmendurat, Forumi Shqiptar është i gatshëm për bashkëpunim edhe me subjektet me të cilët, në procese demokratike të deritanishme, ka pas dallime, por të cilat dallime i ka zbutur koha dhe ka bërë që të kuptohet domosdoshmëria e veprimit të përbashkët drejt forcimit dhe kultivimit të mëtejshëm të bashkëjetesës në Malin e Zi demokratik, të pavarur dhe sovran.Kjo konfirmohet edhe me nënshkrime të të gjithë subjekteve që japin mbështetje Qeverisë së ardhshme për Marrëveshjen e propozuar, përkushtimet programore e të cilës janë kompatibile edhe me qëllimet programore të Forumit Shqiptar.
Forumi Shqiptar përbehet nga ASH-LDSH-UNSH.
Deputetë të Forumit Shqiptar, janë Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj.