UDSH i ndan rrugët me Forumin Shqiptar


Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Iniciativa Qytetare Kroate kanë bërë të ditur se kanë formuar Klubin e përbashkët të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi.

Ky klub përbëhet nga deputetët Mehmed Zenka dhe Adrijan Vuksanoviq, të cilët janë edhe kryetarë të këtyre dy partive politike.

Kryetari i këtij klubi do të jetë deputeti Adrijan Vuksanoviq.

Në fillim të muajit të kaluar, Forumi Shqiptar dhe UDSH njoftuan opinionin se kanë formuar Klubin e përbashkët të deputetëve, kryetar i të cilit do të ishte Nik Gjeloshaj.

“Ne vendosëm ta bëjmë këtë hap me synimin e bashkimit sa më të madh të shqiptarëve si dhe përfaqësimit të tyre autentik. Vetëm së bashku mund të punojmë për integrimin dhe përparimin e shqiptarëve, ku kjo do të jetë pjesa kyçe e agjendës sonë të veprimit. Veprimtaria politike e klubit është unike në çdo aspekt, duke mbrojtur dhe promovuar njëzëri të drejtat e popullit shqiptar. Në këtë mënyrë, tre deputetë unikë shqiptarë do të përfaqësojnë popullin e tyre me dinjitet dhe do të punojnë me përkushtim për zhvillimin dhe avancimin e të gjitha komunave ku jetojnë shqiptarët”, thuhej mes tjerash në deklaratën e përbashkët për shtyp.

Megjithatë, formimi i shumicës së re qeverisëse me përkrahjen e partive pro serbe të koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, pjesë e së cilës është koalicioni “Forumi Shqiptar”, kurse UDSH nuk është, ka bërë që klubi i deputetëve shqiptarë të ketë jetë të shkurtër dhe të shpërbëhet shumë shpejt.

Tashmë Forumi Shqiptar me dy deputetë do të jetë klub i posaçëm në Kuvendin e Malit të Zi, ndërsa deputeti i UDSH-së, Mehmed Zenka, pjesë e klubit të përbashkët me deputetin e IQK-së, Adrijan Vuksanoviq.

 

/Kohapress/