Artan Çobi deputet në vend të Nik Gjeloshaj


Në vazhdim të seancës së dytë të mbledhjes së parë të rregullt për këtë vit u konstatua dorëheqja e deputetëve të Lëvizjes Evropa Tani, Demokratëve, CIVIS-it, Forumit Shqiptar dhe Partisë socialiste popullore për shkak të mospërputhjes së funksioneve.

Ndërkaq, Komisioni shtetëror zgjedhor i vërtetoi mandatet për deputetet e rinj, kështu mes tjerave nga Forumi Shqiptar deputeti i ri do të jetë Artan Çobi. 

Çobi merr vendin e deputetit pasi që deputeti Nik Gjeloshaj u emërua Nënkryetar i Qeverisë dhe Ministër.

Në Facebook Çobi ka shkruar: „Nga dita e sotme kam marrë detyrën e deputetit në Kuvendin e Malit të Zi, si përfaqësues i Forumit Shqiptar. Kjo detyrë është një nder për mua, por edhe përgjegjësi dhe obligim i madh për të realizuar qëllimet tona për përsmirësimin e kushteve për shqiptarët në Mal të Zi. Nuk mund të theksohet sa duhet se sa e rëndësishme është për ne që të menjanojmë pengesat e shumta dhe të punojmë për të çuar përpara investimet aq të pritura nga komuniteti ynë në të gjithë vendin. Me këtë rast dua të falenderoj përzemërsisht të gjithë ata që më kanë përkrahur në këtë rrugë, si mua personalisht ashtu edhe Forumin Shqiptar, me shpresë dhe vendomëri se do të jap maksimumin për të merituar besimin e tyre. Duke qenë se jemi pjesë e qeverisë aktuale, në periudhën në vazhdim pres nga ju sugjerime dhe rekomandime dashamirëse për të qenë sa më i njoftuar për nevojet emergjente të shqiptarëve në Mal të Zi, dhe së bashku të kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve dhe realizimin e investimeve,“ deklaroi Çobi.

/MALESIA.ORG/