Ujëvara në kanionin e lumit Cem e njohur si Niagara është një atraksion i njohur turistik që ndodhet në fshatin Rakiq ( Malësi e Madhe) në mes Podgoricës dhe Tuzit. Sapo të kaloni Urën e Zharnicës përgjatë lumit Cem , i cili buron në pjesën perëndimore të Bjeshkëve të Nemuna ( Alpeve Shqiptare) në Shqipëri, në kuotën 1650 metra, një pamje mahnitëse do t’u shpaloset para syve. Ujëvara nuk ka askund reklamën e vetdhe, në fakt, pavarësisht nga kjo, vizitorët e atij vendi, si dhe objekti i hotelerisë me emrin “ Niagara”, janë reklama më e mirë.
Mbresa të pashlyeshme
Tingujt terapeutikë të ujit që bien teposhtë në lumin Cem, përsosin peizazhin e kësaj ujëvare jashtëzakonisht të bukur. Ajo të duket e bardhë si bora dhe kjo të krijon një efekt fantastik , sepse bie në kontrast me shkëmbinjtë e errët përreth saj. Uji si kristal që shpërthen nëpër gurë dhe pamja e mahnitshme e natyrës krijojnë një skenë madhështore dhe një kënaqësi shpirtërore. Vërtet që nuk ka lartësinë e Ujëvarës “ Niagara” në Amerikën e Veriut, të Ujëvarës “ Angel” në Amerikën Jugore ose Ujëvarës “ Viktoria” në Afrikë. Por bukuria e Ujëvarës së Rakiqit të lë mbresa të pashlyeshme.
Ujëvara dhe lumi Cem janë të pasur me një sasi të madhe uji. Megjithatë, gjatë gushtit, kur lumi Cem thahet në shumë vende, edhe Ujëvara e Rakiqit mbetet pa ujë.
Vend për larje, pushim e rekreacion
Kjo ujëvarë gjithmonë ka tërhequr vëmendjen dhe admirimin e njerëzve vendas dhe të huaj. Ajo konsiderohet si vendi më i bukur për piknik në Tuz dhe Podgoricë. Gjatë verës Cemi shndërrohet në një mjedis atraktiv e tërheqës për pushues të ndryshëm që i preferojnë bukuritë e këtij lumi, ku duhet veçuar Ujëvarën ” Niagara” , e cila është një nga vendet më të bukura në Mal të Zi, i përshtatshëm edhe për larje, pushim e rekreacion. Turistët janë të kënaqur nga pamja e mrekullueshme e natyrës, uji që shpërthen nëpër gur dhe krijon një skenë për një kartolinë. Përveç kësaj shumë çifte kanë vendosur që pasi kanë thënë PO-në fatale, të shkrepin disa foto këtu, si kujtim të atij momenti të lavdishëm.
Çfarë thotë legjenda?
Kjo ujëvarë e bukur thuhet se u krijua rreth 150 vjet më parë në kanionin e lumit Cem, i cili është zbukuruar me gurë dhe gurë të bukur, por të mprehtë. Ujëvara e Rakiqit në lumin Cem u rrënua dy herë dhe u rindërtua me mundin e popullatës vendase, kur u ngrit, për shkak të mullinjve që ekzistonin në të kaluarën, Cemi ipamëshirshëm e merrte, sidomos në muajt e dimrit.
Legjenda thotë se pas ndërtimit të tretë, u shfaq një grua e moshuar dhe i urdhëroi ndërtuesit të vendosnin leshin e deleve midis gurëve që vendosnin. Ata e ndoqën atë këshillë dhe ujëvara ka mbijetuar edhe sot e kësaj dite, ndaj edhe pse mullinjtë nuk janë më, janë një vend që qytetarët e Malësisë dhe të Podgoricës ta vizitojnë në verë, por edhe turistë të shumtë.
Ambient i preferuar edhe për artistë e diplomatë të njohur
Në kanionin e lumit Cem dhe në këtë ujëvarëjanë xhiruar filma të shumtë thonë qytetarët e Rakiqit. Ata janë dëshmitarë të vizitave të shumë personazheve të njohur dhe diplomatëve.
Jeremy Irons është një nga aktorët më të shquar që ka vizituar këtë ujëvarë, duke filmuar filmin artistik “Matilda”.
Pak para ujëvarës, ndodhen plazhe të rregulluara ekologjikisht, të cilat gjatë verës janë plot me qytetarë të cilët gjejnë “lehtësim” nga vapa e padurueshme në lumin Cem. ( Botuar në Koha javore)