Përurohet baza ajrore e NATO-s në Shqipëri


Në Kuçovë të Shqipërisë më 4 mars u përurua baza ajrore taktike e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), e para bazë e aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, tha se baza në Kuçovë do të jetë një pikë strategjike në mbrojtjen e paqes dhe operacioneve të NATO-s.

“Gjithçka pritet nga fronti i lindjes. Dhe ne duhet të jemi të përgatitur të mbrohemi me të vetmen formulë fituese në tavolinë: bashkimin e forcave dhe kapaciteteve tona mbrojtëse”, tha Peleshi.

Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e Shqipërisë, shtetit anëtar të NATO-s, që të vë në dispozicion të aleancës ushtarake perëndimore edhe portin në Durrës, Porto Romano, që siç tha Peleshi, së bashku me “Korridorin 8”, që lidh Shqipërinë përmes rrugëve tokësore dhe hekurudhore me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, i siguron aleancës aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Detit Adriatik në Detin e Zi.

Punimet për rikonstruksionin e bazës në Kuçovë nisën në janar të vitit 2022.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, theksoi se kjo bazë është një element tjetër i sigurisë për rajonin e Ballkanit Perëndimor ” i cili e dimë mirë se është një rajon jo i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.

Ai tha se po punohet me aleancën që sa më shpejt të bëhet gati edhe baza e re detare e NATO-s në Porto Romano.

Hapja e bazës ajrore taktike në Kuçovë u mbyll me një fluturim të avionëve luftarak italian të NATO-s dhe nga helikopterët e Ushtrisë Shqiptar Black Hawk, që u ndoq nga të pranishmit.