Nga Nikollë Camaj
Mungesa në ditën e varrimit m’u bë motiv shtesë që, përmes një shkrimi të shkurtër, t’ia bëj lamtumirën e fundit profesorit e pedagogut të njohur, dr. Palokë Berishës.
Palokë Gjelosh Berisha, i lindur në fshatin Gurrec, para afër 90 vjetësh, ishte ndër studentët e parë malësorë në Normalen e Prishtinës, i regjistruar në vitin 1959. Studimet e pedagogjisë i filloi në Sarajevë, ku kreu dy vitet e para, të cilat do t’i vazhdonte në Prishtinë, ku edhe do të diplomohet, me notën mesatare 10. Magjistroi dhe doktoroi në Degën e Pedagogjisë, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit.
Nga viti 1959, e deri në pension, ka kryer detyra me interes kombëtar, mësimor e shkencor, në Kosovë e në Malësi, për ta mbyllur karrierën e vet në Fakultetit e Mësuesisë në Podgoricë, nga viti 2004 në 2018, ku ka dhënë një kontribut tejet të rëndësishëm për përtëritjen e kuadrit pedagogjik ndër shqiptarët e Malit të Zi. Për punën e tij të pakursyer, për qasjen tejet dashamirëse ndaj brezit të ri, më së miri kanë folur dhe flasin ish-studentët, të cilët kanë vetëm fjalë lavdërimi.
Punën e palodhshme e kurorëzoi edhe me botimin e shumë veprave, tejet të rëndësishme për shkencën e Pedagogjisë, por edhe për ruajtjen e pasurisë sonë kulturore, veçanërisht asaj që ka të bëjë me zhvillimin e arsimit ndër ne.
Për këtë rast po veçoj vetëm disa nga botimet e tij.
“100 vjet drite, Shkolla fillore ne Hot”; “Zhvillimi i shkollave dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi, prej vitit 1878 deri ne vitin 1988”; “Shkollat dhe arsimi në Malësi të Madhe, të aneksuar nga Mali i Zi”; “Shkolla e mesme në Tuz 1971-2001; “Shkollat dhe arsimi i shqiptarëve në territorin e Komunës së Plavës dhe Rozhajës deri në vitin 2001; “Gjoni e Agroni në shërbim të arsimit dhe shkencës”; “Shkollat dhe arsimi shqip në territorin e sotëm të Ulqinit dhe Tivarit, deri në vitin 2001”; “Meteorët e arsimit shqip në Mal të Zi. Pjesa I, ll, III; “Katër malet e Malësisë së Madhe”; “Biografia dhe veprimtaria e Gjergj Hasanajt” etj..
Palokë Berisha ishte një njeri i drejtë, ndoshta edhe deri në ekstrem, çka shpesh e linte edhe të izoluar. Ai kurrë nuk pranonte ta drejtonte logjika e turmës. Mirëpo kjo kurrë nuk e largonte nga të qenit prezent kudo që afirmoheshin veprat e kulturës sonë. Pa u dukur tepër, e pa zhurmë rrahëgjokse, përkrahte çdo gjë përparimtare, kurse në politikë çdoherë rreshtohej pas subjekteve kombëtare.
Kam pasur rast që shpesh ta diskutoj me të çështjen e vlerave që po i ndryshon koha, me ç’rast ai kurrë nuk ngurronte të shprehte indinjatën e thellë për injorancën njerëzore, sidomos atë intelektuale, duke vënë në pah lakmitarët, hilexhinjtë dhe mashtruesit. Pa kushte, vlerësonte guximin, përkushtimin e sakrificën.
Paloka ishte i pari që pati guximin të shkruante për persekutimin e malësorëve nga regjimi komunist, në vitin 1945, ku u pushkatuan dhjetëra malësorë, ndër ta edhe frati i Hotit. Shpesh ma përmendte gjyshin tim Pjetër Zekun, që ishte njëri ndër të pushkatuarit e “masakrës së kuqe në Malësi”, siç e quante ai terrorin sllavo-komunist, duke mos harruar të më përkujtonte se sa krenar duhet të ndihem.
I jam mirënjohës për kontributin e dhënë për breznitë e reja, por edhe për përkrahjen e fjalët e sinqerta, që nuk i kursente.
Nëse parajsa fitohet përmes edukimit të breznive të reja, atëherë Paloka e ka siguruar.