Tifozat Kuq e Zi dhurojnë mjete mësimore nxënësve shqiptar në Rozhajë

Grupimi Tifozat Kuq e Zi vizituan sot nxënësit shqiptar në Rozhajë, me çrast dhuruan mjete mësimore.


Lexo postimin e TKZ-së:

Në Rozhajë, aty ku deri në vitin 1908, sipas statistikave, por edhe më vonë, popullsia shqiptare ishte në shumicë absolute.

Sot, si pasojë e politikave asimiluese të shtetit jugosllav dikur dhe atij malazez sot, shqiptarët e deklaruar janë pakicë.

Vitin e fundit, me mbështetjen financiare të fondacionit shqiptaro-amerikan “Trojet Tona” në SHBA dhe me kordinator për Rozhajë mësuesin e nderuar Haxhi Lajçi ka filluar një kurs për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe “Mësojmë shqip” i cili fatmirësisht, po ndiqet nga një numër fëmijësh që është gjithnjë në rritje.

Kjo nismë ndihmon jo vetëm në mësimin e gjuhës shqipe por edhe në rritjen e ndërgjegjes kombëtare. Prandaj edhe ne si grupim vendosëm ta mbështesim me shpresën që do të kemi sadopak ndikim në vazhdimin e përhapjes së frymës kombëtare, asaj fryme me të cilën është krijuar dhe vazhdon të jetojë tifogrupi ynë.

Në mbështetje të saj ne dhuruam njësi akademike dhe mjete të tjera mbështetëse të nevojshme për zhvillimin dhe mbarëvajtjen e kursit.

Për ne ishte një kënaqësi shumë e madhe të bëheshim pjesë e kësaj nisme në përkrahje të bashkëkombësve tanë dhe, duke shprehur mirënjohjen tonë ndaj nismëtarëve të sipërpërmendur, urojmë që kjo nismë të ketë mbështetje edhe nga ana e institucioneve shqiptare.

Tifozat Kuq e Zi janë kudo ku ka shqiptarë, në përkrahje të tyre dhe të simboleve tona kombëtare. Ana e Rozhajës është tokë shqiptare dhe detyra jonë është të mbështesim banorët e saj për ta ndjerë veten dhe atë tokë, si të tillë!