Emërimet e drejtuesve politikë në fushën e arsimit në Mal të Zi kanë sjellë disa fenomene negative. Së pari shpesh janë bërë emërime pa kriter dhe pa profile të larta intelektuale e kulturore apo rezultate të punës. Kandidatët profesionalë diskriminohen gjatë konkurseve
Nga Gjekë Gjonaj
Ndikimi i politikës në emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve të shkollave në Mal të Zi, përfshirë këtu edhe shkollat me mësim në gjuhën shqipe, është shumë i madh. Politizimi në shkolla, ( lexo në të gjithë sistemin arsimor parauniversitar dhe universitar) respektivisht ndikimi i partive politike në emërimin e këshillave drejtuese dhe drejtorëve është përhapur në tërë Malin e Zi. Në krye të të gjitha institucioneve shkollore ndodhen drejtorë politikë, sikur në sistemin komunist. Pra, libreza partiake është vendimtare, më e fort se ligji. Në këtë princip të emërimit të drejtorëve të shkollave dhe këshillave drejtuese nuk është imun asnjë parti politike. Të gjtha subjektet politike, me gjithë fuqinë e tyre vendimmarrëse që posedojnë, drejtpërdrejtë janë të përziera në emërimin e drejtorëve të shkollave. Në këtë garë natyrshëm dominon partia në pushtet dhe aleatët e saj. Vendosja e personave partiakë në krye të institucioneve shkollore publike , në mesin e të cilëve kemi edhe drejtorë arsimi apo drejtues shkollash të “përjetshëm”, shërben si joshje apo shpërblim nga partia për anëtarët apo votuesit e saj. Drejtorët politikë janë emërime të ministrit të Arsimit. Është e kuptueshme se ata në të shumtën e rasteve janë drejtorë partizanë dhe kujdesi i tyre është i dominuar kryesisht nga interesi politik e ministrit përkatës.
Emërimet e drejtuesve politikë në fushën e arsimit në Mal të Zi kanë sjellë disa fenomene negative. Së pari shpesh janë bërë emërime pa kriter dhe pa profile të larta intelektuale e kulturore apo rezultate të punës. Kandidatët profesionalë diskriminohen gjatë konkurseve. Pa vënë në dyshim referencat e këtyre drejtorëve partiakë, politika ekzistuese negativisht ndikon në ngritjen e transparencës së procesit të vendimmarrjes në shkolla, cilësinë e mësimit dhe selektimin e kuadrove. Veç kësaj hapë një hapësirë të madhe për pasigurinë eventuale juridike të kandidatit, mundësinë e politizimit dhe anshmërinë në procesin e zgjedhjes së drejtorit.
Kjo plagë dëmprurëse e politizimit të emërimeve në fushën e arsimit kërkon korrigjim urgjent me një amandament të Lgjit për Arsim, në mënyrë që t’u jepet mundësia që në këto pozita të emërohen njerëz profesionalë dhe jo politikë. Mendoj se emërimet në këtë fushë duhet të jenë të studjuara. Të sprovuara. Të maten me disa standarte konkrete që nga niveli i diplomës, vjetërsia në punë, eksperiencat në punë, shkrimet, punimet, referimet apo botimet me karakter pedagogjik apo shkencor etj. Nuk mjafton vetëm libreza partiake dhe statusi i të qenurit me fakultet apo master pasi kjo është bërë si një kartë identiteti fallso, që viteve të fundit kushdo e merr, e pak kush e arsyeton. Drejtuesit në fushën e arsmit do të duhej të jenë mjeshtër, jo vetëm në punën mësimore dhe edukative, por edhe në metodën e komunikimit me mësuesit dhe aq më tepër me nxënësit.
Vërtetë në Mal të Zi nuk kemi shkollë të veçantë për përgatitjen e drejtuesve, por kemi mësimdhënës të aftë, të ndershëm, të përkushtuar dhe punëtorë, që qëndrojnë larg politikës dhe e njohin artin e drejtimit. Le t’i afrojmë ata, t’i vlerësojmë dhe do të shohim si mund të nryshojë shkolla dhe sistemi arsimor në të ardhmen.